‘Disa radhë për Robert Ndrenikën dhe ca të tjerë…’

Nga Luan Rama 

Edhe një herë për teatrin me teatrin

Të shembet apo të mos shembet? Kjo nuk është çeshtja!

Disa rradhë për Robert Ndrenikën dhe ca të tjerë…

Kjo tokë është e shenjtë!” Kështu është shkruar gati tre muaj më parë. Saktësisht, më 30 prill 2018. Eshtë fjalia e fundit, në mbyllje të një propozimi drejtuar ministreshës që merret edhe me punët e kulturës, me anë të të cilit, një dyzinë njerëzish gjithfarësh, të prirë në listë prej “Artistit të Popullit”, siç pëlqej t’i drejtohem unë, alias “Nderit të Kombit” e mikut tim të vyer Robert Ndrenika, kerkonin shpalljen zonë monument kulture, të hapsirës publike ku gjendet prej vitit 1938 të shekullit të kaluar, Teatri Kombëtar!

Një kërkesë e arsyetuar bindshëm dhe me plot argumenta shkencorë, që në thelb synonte paprekshmërinë e asaj pjese të historisë qytetare të Tiranës së fillimshekullit XX. E më shumë se sa paprekshmërinë, në fakt, thelbësisht projektonte marrjen në mbrojtje, nën statusin “monument kulture”, me të gjitha konseguencat që mbart ky status.

E meqë Berti, e bashkë me të edhe ata pas tij e mbyllnin kërkesën e tyre me postulatin “Kjo është tokë e shenjtë”, më duhet t’i referohem Biblës, sipas të cilës, të jesh i shenjtë do të thotë të jesh i pandotur, të jesh i përveçuar. Për këtë arsye, ajo që është e shenjtë, veçohet nga përdorimi i zakonshëm, ose konsiderohet e shenjtë, veçanërisht sepse është e pastër, e kulluar.

Ndërsa në shqipen e sotme, tokë e shenjtë, në kuptimin “tokë jopagane”, do të thotë “jo e pëgërë”, “jo e pëgjânë”.

M’a do mendja që kjo duhet të ketë qenë edhe arsyeja, se përse Berti dhe të tjerët, ata të shumtët pas tij, e kanë përdorur shprehjen “Kjo tokë është e shenjtë”, për pikëlidhje mes kërkesës për shpalljen e Teatrit Kombëtar dhe të të gjithë zonës rreth e rrotull monument kulture, dhe emrave të tyre!

Por, meqë prej shprehjes “Kjo është tokë e shenjtë”, pata ngasjen t’i referohem Biblës, prej Librit të Shenjtë mësojmë se ka ndodhur që “e pëgëra” të shpallet e shenjtë, por jo e kunderta. Ndodhi me Mari Magdalenën, prostitut?n qe u shpall shenjtore. Por nuk ka ndodhur kurrë që një i shenjtë të desakralizohet.

E sot, më duhet ta pyes mikun tim “Artist të Popullit”, pra Robert Ndrenikën, e jo të tjerët pas tij në fakt: a është ende i bindjes “Kjo është tokë e shenjtë !” për atë hapsirë të kryeqytetit ku gjendet Teatri Kombëtar? A i qëndron ende Robert Ndrenika kërkesës së nënshkruar prej tij në krye të rendit në një listë bashkë me ca të tjerë, se ajo pjesë e Tiranës historike duhet të shpallet zonë monument kulture?

Sepse, këtë historinë e teatrit dhe refrenin “të prishet – të mos prishet” e kemi diskutuar shumë herë edhe bashkë, e prej tij dhe, edhe për të, unë e mbështeta kërkesën e tyre, prej tij e për të e kundërshtova e vazhdoj t’a kundërshtoj prishjen zonës “monument kulture”, të asaj gjurmë qyteti që vjen prej tetëdhjetë vjetësh, si shenjë dhe histori e një epoke!

Të prishet apo të mos prishet? Në fakt kjo nuk është çështja!

Të gjitha; dilemat, nostalgjitë, emocionet, historitë, mëdyshjet, hipokrizitë, interesat, edhe pazaret, allishverishet, kusuret, servilizmi, lotët dhe gëzimet, edhe në fund duartrokitjet janë aty!

E kam thënë dhe më parë e prapë po e përsëris se nuk është vetëm çështje sentimenti çështja e teatrit. Mund të mendoni se sa emocione janë arkivuar në atë ndërtesë. Njerëzit kanë duartrokitur, kanë qeshur, kanë qarë, kanë pranuar, kanë refuzuar. Jeta e kryeqytetit është e lidhur me këtë ndërtesë, sado modeste të duket.

Tashmë, ajo është kthyer në një çështje dinjiteti dhe integriteti!

E kur këto gjëra të shenjta përmbysen, nuk të vjen askush në ndihmë si ngushëllim përveç Kiplingut, me “Në mund…”, të sjellë në shqip nga Noli ynë i madh. Ndaj, për ata që nuk e kanë lexuar, po citoj një fragment:

“Në mundsh të ruash arsyen kur bota humbet fillin,

e fajin ty ta hedh dhe vehtes t’i besosh,

sa herë te ty dyshojnë e s’të perfillin,

por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…

Në mundsh të rrish në pritje nga pritja palodhur,

a kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,

madje ndaj shpifjeve të rrish pa folur,

me thjeshtësi me to pa rënë ndesh…

Në mundsh të flasësh me maskarenj,

por nderin tënd të ruash

a t’ecësh përkrah mbretit,

pa krenari që të verbon…

nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash dhe gjithkënd e çmon,

por veç aq sa meriton.

Në mundsh t’i mbushësh ti minutat,

që të rënda me veprat që peshojnë,

dije dhe mos ki asnjë dyshim,

se e jotja do jetë bota me gjithë ç’ka brenda,

dhe BURRE do t’jesh o biri im”.

Të shembet apo të mos shembet? Kjo nuk është çështja!

“Aktorët kërkojnë refuzimin. Nëse nuk e marrin, ata refuzojnë vetveten”. Kështu ka thënë një emër i madh, Charli Chaplin.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *