Vetingu i Xhezair Zaganjorit, a do të hyjë “mik” Vilma Nushi?

Nga Boldnews.al

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, u përball të premten me historinë e tij problematike me pasurinë sipas KPK. Njeriu me pozicionin më të lartë në sistemin e drejtësisë u detyrua të jepte shpjegime të pjesshme përpara një trupe gjyqësore të Vetingut, të cilën, me shumë mundësi, i ka pasur studentë gjatë karrierës së tij të gjatë akademike.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deklaroi në seancën dëgjimore se kishte zbuluar kontrata fiktive, deklarime të pasakta të pasurisë, burime të pajustifikuara për krijimin e aseteve. Në fjalë të përgjithshme, Xhezair Zaganjori, kishte probleme, aq sa kanë qenë të mjaftueshme që Komisioni i Vetingut të shkarkojë gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë gjatë dy muajve të fundit.

Por, rasti “Zaganjori” është më specifik nga të tjerët. Si në çdo proces në Shqipëri, përfshirë edhe këtë të Vetingut, notat e subjektivizmit janë të larta. Deri më tani, jo vetëm “Boldnews.al”, por edhe zëra të tjerë autoritarë në shkencat juridike, kanë konstatuar standarde të shumëfishta që kanë ndjekur trupat gjyqësore të Vetingut.

Xhezair Zaganjori, pavarësisht problematikës së zbuluar sipas KPK, mund të kalojë procesin e Vetingut. Kjo, jo për faktin se argumentat e tij bindin Komisionin e Vetingut, i cili, deri sa mbërrin në seancë dëgjimore, e ka thuajse të caktuar vendimin e tij. Kreu i Gjykatës së Lartë ka një kanal komunikimi të fuqishëm me qeverinë, e cila, tashmë nuk është më surprizë, po kontrollon procesin e Vetingut.

Zaganjori ka lidhje të forta me biznesmenen e duhanit dhe ilaçeve, Vilma Nushi. Kjo e fundit është një prej oligarkëve pranë kryeministrit Edi Rama, e cila po përfiton miliona euro nëpërmjet konçensionit “Check Up” në Shëndetësi.

Vilma Nushi ka nënshkruar një marrëveshje konçensionare me qeverinë e Edi Ramës në tetor 2014, nga e cila do të marrë nga buxheti i shtetit 120 milionë për 10 vite. Ky konçension, ndër të parët e dhënë nga qeveria “Rama 1” është kundërshtuar ashpër nga opozita, e cila e ka konsideruar si një prej veprave korruptive më të mëdha me firmën dhe vulën e qeverisë.

Në ambjentet e Drejtësisë, pak kohë më parë diskutohej se Vilma Nushi kishte ndërhyrë tek kryeministri Edi Rama për të bërë të mundur që Zaganjori të zgjidhej për vendin vakant të përfaqësuesi shqiptar në Gjykatën e Strasburgut. Kjo vakancë ende nuk është plotësuar, ndërkohë që Xhezair Zaganjori pret që, në datën 24 korrik, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të shprehet nëse ai e kalon apo jo provimin e Vetingut.

Provimi i Zaganjorit, me shumë mundësi pritet të jetë një test edhe për fuqinë që ka Vilma Nushi tek kryeministri Edi Rama. Nëse kreu i Gjykatës së Lartë konfirmohet në detyrë, pavarësisht problematikave të mëdha që Komisioni i Vetingut zbuloi vetë në pasurinë e Zaganjorit, atëherë kjo mund të lexohet edhe si një dëshmi se dyshja Edi Rama-Vilma Nushi vijojnë të kenë raporte të forta bashkëpunimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *