Vetingu për Manjola Xhaxhon, çfarë fshehu Komisioni nga raporti i DSIK

Nga Boldnews.al

Vendimet e zbardhura të Komisionit të Vetingut po zbulojnë dita-ditës problematikat që kanë trupat gjyqësore, si në aspektin profesional, ashtu edhe në standartet e ndryshme që aplikojnë në procesin e rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Gjyqtarja Manjola Xhaxho është kandidate për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe përfshihet në listën e subjekteve prioritare për kalimin e procesit të rivlerësimit. Tresha gjykuese, e përbërë nga kryesuese Etleva Çiftja dhe anëtarë Xhensila Pile e Valbona Sanxhaktari, arritën në përfundimin se gjyqtarja kalonte me sukses rivlerësimin e pasurisë, aftësive profesionale dhe integritetit moral.

Por, në vendimin e Komisionit të Vetingut nr. 19, dt. 14.05.2018, me të cilin u konfirmua në detyrë gjyqtarja e Tiranës, Manjola Xhaxho, “Boldnews.al” identifikon një situatë, e cila krijon dyshime të arsyeshme se komisionerët janë angazhuar “ekstra” për të ndihmuar këtë subjekt rivlerësimi, përsa i përket shtyllës së figurës morale.

Në faqet 8-9 të vendimit të Komisionit të Vetingut, thuhet tekstualisht: “Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka dërguar një raport me shkresën nr. * prot., datë 02.11.2017, për subjektin e rivlerësimit, në përputhje me nenin 39 të ligjit nr. 84/2016.
Me shkresën nr. * prot., datë 17.01.2018, drejtuar DSIK-së, është kërkuar rishikimi i raportit për subjektin Manjola Xhaxho dhe nisja e procedurave për deklasifikimin e plotë të informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”.
Në përgjigje të saj, DSIK-ja ka dërguar një raport të rishikuar për subjektin e rivlerësimit, në përputhje me nenin 39 të ligjit nr. 84/2016, ku ka konstatuar përshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës së subjektit të rivlerësimit, Znj. Manjola Nikollaq Xhaxho”.

Duke e lexuar literalisht këtë pjesë të vendimit, krijohet dyshimi i fortë se dy raportet e DSIK për subjektin Manjola Xhaxho kanë pasur përfundime të ndryshme. Komisioni i Vetingut nuk e përmend aspak rezultatin e raportit të parë të DSIK, dorëzuar në 2.11.2017. Gjithësesi, përmbajtja e tij “me probleme” lihet të kuptohet në vijim.

Komisioni i Vetingut shkruan vetë në vendim se, “Me shkresën nr. * prot., datë 17.01.2018, drejtuar DSIK-së, është kërkuar rishikimi i raportit për subjektin Manjola Xhaxho dhe nisja e procedurave për deklasifikimin e plotë të informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”.

Kërkesa e Komisionit të Vetingut drejtuar DSIK për “rishikimin e raportit” për subjektin Manjola Xhaxho është jashtë-ligjore. Në bazë të ligjit për Vetingun, disa institucione, përfshirë edhe DSIK, janë ndihmëse të Komisionit të Vetingut. Por është ky i fundit që, në bazë të raporteve ndihmëse dhe hetimit administrativ të kryer prej vetë komisionit, arrin në përfundime. Pra, në asnjë pjesë të ligjit, nuk është parashikuar mundësia që Komisioni i Vetingut të kërkojë “rishikim të raporteve” nga institucionet e tjera.

Për të “mbuluar” këtë shkelje ligjore, Komisioni i Vetingut e ka justifikuar kërkesën me nevojën për “deklasifikimin e plotë të informacionit të klasifikuar ‘sekret shtetëror'”. Rrjedhimisht, kuptohet qartë se raporti i DSIK për Manjola Xhaxhon ka pasur të dhëna në të, me shumë mundësi të dyshimta, të cilat duheshin sqaruar plotësisht për Komisionin e Vetingut.

Pas kërkesës së Komisionit të Vetingut, DSIK dërgon një raport të dytë, në cilin nuk konstatohet aspak përgjigja e kërkesës për “deklasifikimin e informacionit”. Siç thotë edhe vetë Komisioni i Vetingut në vendimin nr. 19, “DSIK-ja ka dërguar një raport të rishikuar për subjektin e rivlerësimit, në përputhje me nenin 39 të ligjit nr. 84/2016, ku ka konstatuar përshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës së subjektit të rivlerësimit, Znj. Manjola Nikollaq Xhaxho”.

Pra, vetëm pas ndërhyrjes së jashtëligjshme të Komisionit të Vetingut, DSIK dorëzoi përfundimisht një kartelë të pastër për figurën e gjyqtares Manjola Xhaxho, duke konstatuar “…përshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës…”. Kjo përgjigja e dytë duket se ka qenë mëse e mjaftueshme, në mos e kërkuara, nga Komisioni i Vetingut, i cili, në vendimin e tij, nuk e përmend në vijim se cili ishte informacioni që kishte kërkuar deklasifikimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *