Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, Mimi Kodehli, ka mbyllur befasisht mbledhjen e këtij komisioni sot, duke mos lejuar opozitën t’i drejtohej ministrit Ditmir Bushati për shkaqet e shtyrjes së negociatave të vendit me BE-në.
PD dhe LSI e konsideruan si të paprecedentë këtë akt dhe e denoncuan para mediave; deputetja e LSI, ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha e argumentoi këtë manovër me frikën e qeverisë për t’u përballur me opozitën për dështimin e saj.
“Me një arsye të paprecedentë, – tha Gjosha, – mbyllet komisioni i jashtëm, me një dëgjesë me Ministrin e Jashtëm, ku frika për t’u përballur me të vërtetën është e dukshme. Ti mashtrosh qytetarët se negociatat janë çelur, kur ato nuk kanë çelur e në një kohë kur detyra të tjera do të rëndojnë mbi shpatullat shqiptarëve.
Tani, jo vetëm që do të fillojë një proces teknik por shqiptarët do të kalojnë në vazhdën e pesë prioriteteve kyçe dhe do të vijnë dhe kushte të shtuara të lidhura me azilkërkuesit shqiptarë dhe standardin e zgjedhjeve që Shqipëria duhet të përmbushë që vitin e ardhsmë. Kjo frikë e ka pushtuar qeverinë dhe duket.
Qeveria duhet të ulet dhe të shohë ato kushte jetese që i ka bërë të pamundura për shqiptarët. Integrimi në radhë të parë nuk ka të bëjë me reformat e mëdha po me kushtet ekonomike që duhet të nisin të përmirësohen, ekoniminë, punësimin.”