Vetingu: Bashkim Dedja mori kursimet e familjarëve që të blejë super-apartament

Nga Boldnews.al

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, e konsideroi si të kishte kaluar varrin, në përfundim të procesit të Vetingut, nga i cili u konfirmua në detyrë. Por, duke parë vendimin e zbardhur të Komisionit të Vetingut, duket se komisionerët e kanë pasur akoma më të vështirë për ta konfirmuar, pavarësisht arsyeve që i kanë shtyrë për t’i dhënë një dorë kreut të Kushtetueses, i cili nuk justifikon të paktën 25 mijë euro.

Me vendim nr. 24, dt. 13.06.2018, Komisioni i Vetingut vendosi konfirmimin në detyrë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, pas një séance dëgjimore, në të cilën u prezantuan gjetjet problematike të hetimit administrativ. Një pjesë e mirë e pasurisë së Dedjas nuk bazohej në dokumenta të ligjshëm, gjë e cila pritej që të ndërpriste mandatin e tij të gjyqtarit. Por, në mënyrë të habitshme për median që ndoqi seancën përfundimtare, Komisioni i Vetingut vendosi konfirmimin e tij në detyrë.

Pika më e diskutueshme në vlerësimin e pasurisë së Bashkim Dedjas ishte burimi i blerjes së një apartamenti dhe garazhdi, në vlerë totale 180 mijë euro, në një prej zonave më të shtrenjta të Tiranës.

Dedja ka deklaruar se, për blerjen e këtij apartamenti ka marrë 120 mijë euro kredi, ka përdorur kursimet familjare në vlerë 35 mijë euro dhe, pjesën tjetër, rreth 25 mijë euro, e ka marrë hua tek dy familjarë, përkatësisht vëllait 10 mijë euro dhe kunatit 15 mijë euro.

Huadhënësit e kreut të Gjykatës Kushtetuese janë emigrantë prej vitesh dhe, sipas Bashkim Dedjas, ata kanë pasur mundësi për krijimin e këtyre shumave, pavarësisht se ai nuk ka sjellë asnjë dokument për të provuar aftësinë e tyre për krijimin e këtyre të ardhurave.

Në vendimin e zbardhur, rezulton se Komisioni i Vetingut nuk ka kryer asnjë hetim të thelluar për të vërtetuar nëse vëllai dhe kunati i Bashkim Dedjas kanë pasur mundësi reale për të krijuar të ardhura për të mbajtur familjet e tyre në emigrim dhe për t’i dhënë hua, pa asnjë interes dhe pa asnjë afat, kreut të Gjykatës Kushtetuese.

Komisioni i Vetingut ka marrë të mirëqena deklarimet e Bashkim Dedjas, pavarësisht bindjes se kjo nuk është forma e duhur për të kryer rivlerësimin e plotë dhe të saktë të pasurisë së subjektit.

Por, për të krijuar publikisht bindjen se Komisioni i Vetingut është angazhuar maksimalisht, në vendim kanë përfshirë disa paragrafë të gjatë, në formën e hartimit, ku shpjegohet në mënyrë sociologjike dhe filozofike fenomeni i emigracionit dhe koncepti i familjes në Shqipëri.

Komisioni i Vetingut, në piruetën e tij për të justifikuar mungesën e dokumentacionit për burimin e huave në favor të Bashkim Dedjas, shkruan: “…Duke punuar në emigracion, ai (vëllai i B.Dedja) ka krijuar të ardhura të cilat i ka sjellë në Shqipëri, pavarësisht se nuk disponon dokument zyrtar për këtë. Duke iu referuar situatës në Shqipëri, pas vitit 1990, është një fakt që dihet tashmë se mbi 70 % e familjeve shqiptare kishin të paktën një person në emigracion, pa dokumente, në vende të ndryshme, si Greqi, Itali, Gjermani, Francë, etj. Ishin pikërisht të ardhurat e këtyre emigrantëve të paligjshëm që mbanin familjet e tyre në Shqipëri”.

Po ashtu, Komisioni i Vetingut ka marrë përsipër të bëj një vlerësim, pa asnjë bazë dokumentare, mbi mundësitë financiare të kunatit të Dedjas: “Sa i përket faktit të përcaktimit të aftësisë paguese të kunatit të subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues vlerëson se, nisur nga një periudhë relativisht e gjatë, nga viti 2002 deri në vitin 2013, kur i ka dhënë huan e sipërpërmendur, pra për një periudhë 10-vjeçare, z. E. C. mund të kursente të paktën shumën prej 1.000 eurosh për çdo vit, duke i dhënë ato hua pa kundërshpërblim për subjektin e rivlerësimit”, thuhet në vendim.

Në analizë të ftohtë, shpjegimet e Komisionit të Vetingut nuk mbështeten në arsyetimin aritmetik dhe logjik. Në aspektin aritmetik, shifrat e prezantuara nga Bashkim Dedja nuk mbështeten në dokumenta ligjorë. Në aspektin logjik, argumentat pro të Komisionit të Vetingut çalojnë ndjeshëm.

Vendimi për konfirmimin e Bashkim Dedjas, në të gjithë gjerësinë e tij, përshkruhet nga fryma e mbështetjes ndërmjet familjarëve. Pra, Komisioni i Vetingut pretendon se vëllai dhe kunati i Dedjas e kanë ndihmuar atë për të blerë një apartament. Por, Bashkim Dedja nuk ishte i pastrehë. Ai, prej vitit 1997, kishte një apartament në Tiranë, të blerë rreth 20 mijë dollarë, për të cilin gjithashtu nuk provohet burimi me dokumentacion të plotë.

Gjithësesi, duke u kthyer tek apartamenti i ri, në vlerën e rreth 180 mijë eurove, rezulton, sipas Komisionit të Vetingut, që familjarët emigrantë, përtej vështirësive të tyre në vend të huaj, krahas faktit që kanë ndërtuar familjet e tyre, me shpenzimet përkatëse, kanë menduar që kursimet e tyre t’ia japin pa afat dhe kundërshpërblim Bashkim Dedjas, që ky i fundit të blejë një apartament super-luksoz.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *