“Mallkuar qoftë ai që nuk të la ty të gëzoje si të tjerët…”, të afërmit dedikime prekëse pas ekzekutimit në Shkodër

“Shpirti jonë i vogël ti kishe një nënë, që nuk e zëvendëson askush vendin e saj. Por tani do kesh 2 tezet dhe nënën që do të bëhen nënë për ty. Ti kishe një baba që çdo ditë të puthte dhe lozte me ty, por tani do kesh dajën që do të zëvendësojë vendin e babait”.

Këto fjalë prekëse i dedikohen djalit të vogël të çiftit Boran Bercana dhe Silva Ndocit. Ato u shkruan në rrjetet sociale nga një e afërme e çiftit, e cila si shumë të tjerë, përfshirë edhe motrat e 24-vjeçares Silvi Ndoci, shprehen të tronditur për ngjarjen e rëndë dhe të pikëlluar për djalin e mitur që mbeti pa nënë e baba.

“Shpirti i tezes, mallkuar qoftë ai kafshë, mallkuar qoftë ai që nuk të la ty të gëzoje si të tjerët…”, janë fjalët e një tjetër të afërme.

Motra e Silvit ka pak fjalë. Ajo shkruan vetëm “O ku ku për mu” apo “Shpirti ju pushoftë në paqe”, shkruan tvklan.

Djali 2-vjeçar i ish-oficerit të policisë Bercana dhe partneres së tij Ndoci ndodhej në gjumë, kur persona ende të paidentifikuar ekzekutuan me breshëri plumbash prindërit e tij.

Ngjarja tronditëse ndodhi rreth orës 01:15 të së dielës, teksa çifti ndodhej ende në makinë, poshtë pallatit ku banonin në Shkodër.

Kur ka kaluar më shumë se një ditë nga kjo ngjarje e rëndë, nuk ka ende të dhëna për shkaqet e këtij ekzekutimi të dyfishtë. As për autorët nuk dihet ende asgjë, përveçse që ata kanë qenë dy, ekzekutori dhe një tjetër që e priste në makinë.

Boran Bercana dhe Silvi Ndoci u përcollën mesditën e kësaj të hënë në banesën e fundit. Ceremonia mortore e tyre u organizua në një familje dhe ata u varrosën pranë njëri-tjetrit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *