613 kg kokainë, gjermanët nuk e sjellin në Shqipëri Arbër Çekaj-n

Para se t’ia dorëzojnë prokurorëve shqiptarë, ata gjermanë do të merren vetë me Arbër Çekaj-n. Ekstradimi i personit që porositi sasinë e jashtëzakonshme të drogës nga Kolumbia nuk është aq i lehtë, pasi në Gjermani preferojnë ta mbajnë edhe për disa kohe për të nxjerrë çdo informacion të vlefshëm.

Normalisht 41-vjeçari në bazë të procedurave duhet të ishte në Shqipëri për t’u marrë në pyetje nga prokurorët shqiptarë.

Por duket se kjo çështje ka marrë një kthesë tjetër, pasi autoritetet gjermane janë duke kryer një sërë veprimesh hetimore për këtë dosje, ku i përfshirë rezulton dhe Arbër Çekaj.

Prokuroria dhe policia shqiptare thonë jozyrtarisht se Çekaj do të ekstradohet në vendin tonë, por pa përcaktuar kur do të ndodhë kjo.

41-vjeçari është i vlefshëm për autoritetet gjermane atje dhe të gjitha rezultatet e hetimit do t’i vihen në dispozicion më pas prokurorëve të Krimeve të Rënda në Tiranë.

Ndërsa edhe në Shqipëri janë duke u zhvilluar hetime konkrete, pasi të enjten u sekuestruan disa pasuri të cilat i përkisinin kompanisë “Arbri Garden” në pronesi të Arbër Çekajt  dhe “Ecoalmax” kompani e hapur më 20 Mars në emër të Selim Çekajt, gati tre javë pas kapjes së kokainës në port. Të arrestuar në Shqipëri janë shoferi i kamioni Armando Pezaku dhe Donald Lushaj menaxher i kompanise “Arbri Garden”. Të dy kanë mohuar përfshirjen e tyre në trafikun e kokainës, ashtu edhe si Arbër Çekaj nga Gjermania. /Klan

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *