Menaxheri i Cristiano Ronaldos presion Realit, Alegri telefonon portugezin

Ka nisur java vendimtare për transferimin e Kristiano Ronaldos te Juventusi dhe në lojë ka hyrë menaxheri i portugezit. Zhorzh Mendesh ka zbarkuar sërish në Madrid, ku do të takohet me drejtuesit e Realit për të marrë prej tyre “dritën jeshile” përfundimtare për shitjen e pesë herë fituesit të “Topit të Artë”.

CHAMPIONS-I – Dëshira “italiane” e portugezit u konfirmua, në njëfarë mënyre, që kur refuzoi ofertën nga Kina. Në fakt, ylli i Real Madridit ka refuzuar në fundjavë një kontratë dyvjeçare, me pagë rreth 100 milionë euro neto në sezon, duke dëshmuar se dëshiron të qëndrojë ende në majat e futbollit europian, të luajë e synojë sërish fitimin e Ligës së Kampionëve.

Ronaldo, në të vërtetë, e di se pikërisht Champions-i, trofe të cilin e ka fituar tashmë pesë herë, në eksperiencat me Mançester Junajtid dhe Real Madrid, është ëndrra e madhe e tifozëve bardhezinj.

TELEFONON ALEGRI – Ndërkohë, te Juventusi presin me shumë optimizëm suksesin e marrëveshjes, ndërsa Ronaldo, i cili po kalon pushimet në Greqi dhe, (edhe pse nuk do jetë çështje orësh, por ditësh), konfirmimi pritet të vijë pas Botërorit. Ndërkohë, gjithmonë sipas portalit spanjoll, Ronaldo ka pasur tashmë një bisedë telefonike me Masimiliano Alegrin, trajnerin e Juves.

Trajneri livornez ka nisur punën së bashku me skuadrën, duke menduar zgjidhjet e para taktike. Në pritje, pse jo, të Kristianos… Dhe gjithë sinjalet e çojnë në Torino. Orët, ditët apo edhe një javë ndryshojnë pak. CR7 tani ka zgjedhur Juventusin.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here