Donald Trump dhe Vladimir Putin do të takohen pas disa ditësh për herë të parë në një Samit të dedikuar raporteve ruso-amerikane, si përpjekje për të gjetur gjuhën e komunikimit, tejkalimin e tensioneve dypalëshe, si dhe për të diskutuar çështjet me rëndësi globale. E sigurt është se pavarësisht takimit kokë më kokë të dy presidentëve në Helsinki, administrata amerikane do të vijojë me prioritetet e saj.
Jo vetëm çarmatimi bërthamor i Koresë së Veriut, Siria, NATO, tregtia me BE dhe Kinën, por edhe Ballkani vijon të jetë në agjendën e Washingtonit.
Ndikimi i madh rus në këtë rajon që prek kryesisht institucionet dhe demokracinë, ka rikthyer vëmendjen e interesave amerikane në Ballkanin Perëndimor që botërisht njihen si interesa për çështje të sigurisë, ushtarake, ekonomike dhe diplomatike.
Propozimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë për të emëruar në Shqipëri, Kathleen Ann Kavalec si ambasadore të re të SHBA-së në Tiranë, duket se vjen në këtë frymë interesash.
Znj. Kavalec është një diplomate me karrierë 30-vjeçare. Aktualisht është zëvendës.ndihmës-sekretare në Byronë e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit. Përveçse flet rusisht, ajo është një njohëse e regjur e politikës së Kremlinit. Gjatë 3 dekadave të fundit zonja Kavalec ka punuar vazhdimisht me përfaqësuesit e Moskës në SHBA dhe Europë, ka qenë pjesë e betejave dypalëshe, të nëndheshme, por edhe atyre, që kanë dalë në sipërfaqe.
Ajo ka ngritur shqetësimin mbi ndërhyrjen e Rusisë në Europë, veçanërisht në Ballkan. Zonja Kavalec iu bashkua zërave të fortë në SHBA, pas ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet e fundit presidenciale, për të cilat po vijon një hetim i posaçëm, edhe pse Trump e ka mohuar kategorikisht.
Jo më larg se në shkurt të këtij viti, zonja Kavalec vizitoi Këshillin Rus të Çështjeve Ndërkombëtare. Gjatë takimit ambasadorja Kavalec diskutoi marrëdhëniet dypalëshe Rusi-SHBA, zgjidhjen e krizës në Ukrainë pas aneksimit të Krimesë dhe mundësinë e ndryshimit të sanksioneve amerikane kundër Rusisë.
Ajo është në pritje të konfirmimit nga Senati pas propozimit të Presidentit Trump për të drejtuar ambasadën amerikane në Tiranë.
Vetëm një ditë më parë, presidenti Donald Trump emëroi edhe ambasadorin e ri në Kosovë. Edhe ai njohës i Rajonit, pasi aktualisht është pjesë e misionit diplomatik amerikan në Ankara. Vlen të nënvizohet se edhe Philip S.Kosnett, është një rusishtfolës dhe me përvojë në çështjet e sigurisë.
Kush është Kathleen Ann Kavalec
Që prej vitit 2015, ajo mban postin e zëvendës.ndihmës-sekretares në Byronë e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit. Karriera e saj përfshin më shumë se tri dekada përvojë si diplomate.
Pas emërimit nga Presidenti Trump, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi kurrikulumin e zonjës Kavalec. Ajo ka shërbyer si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve të Rusisë. Ka qenë zëvendës.shefe e Misionit dhe zëvendës.delegate e përhershme në Misionin e SHBA-ve në UNESCO, në Paris (2010-2013). Në periudhën 2009-2010, zonja Kavalec ishte zëvendës.koordinatore për Asistencën e SHBA-ve për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qendrore.
Në vitet 2008-2009, ajo ka shërbyer si drejtore e Parandalimit të Konflikteve në Zyrën e Koordinimit për Rindërtim e Stabilizim. Detyrat jashtë vendit kanë përfshirë edhe ture në Ukrainë, Rusi, Rumani e Brazil. Znj. Kavalec mban një “A.B” në Shkencat Politike nga Universiteti i Kalifornisë në Berkeley dhe një “M.S.F.S” në Shërbimin e Jashtëm nga Universiteti Georgetown. Gjuhët e huaja që flet janë: rusishtja, frëngjishtja, spanjishtja, portugalishtja, rumanishtja dhe gjuha ukrainase.
A pritet ndryshim kursi dhe prioritetet amerikane
Një muaj më parë, zv.ndihmës-sekretari i Shtetit në Detyrë, Mattheë Palmer, në një prononcim për gazetën “Mapo” u shpreh se, “është planifikuar që Ambasadori Donald Lu të largohet nga Shqipëria këtë verë”. Nuk kishte dalë emërimi i ambasadores së re amerikane, por z. Palmer siguroi se, (pavarësisht pasardhësit), përparësitë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri nuk do të ndryshonin.
Palmer nënvizoi se, “politika e SHBA në Shqipëri është të mbështetë anëtarësimin e vendit në BE dhe reformat e nevojshme për ta çuar përpara këtë synim. Kjo përfshin mbështetjen për reformën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe kundërvënien ndaj ekstremizmit të dhunshëm”.
Zv.ndihmës-sekretari i Shtetit në Detyrë u shpreh se, “Departamenti i Shtetit do të vazhdojë të ngrejë zërin në favor të sundimit të ligjit, reformës së gjyqësorit dhe kundër përpjekjeve për të manipuluar zbatimin e saj”.
Që do të thotë, se me emërimin e ambasadores së re në Shqipëri, orientimi amerikan për zhvillimet e brendshme politike, lufta kundër krimit dhe korrupsionit apo vijimi i reformës në drejtësi nuk do të ndryshojë.
Megjithatë, nëse do t’i referohemi kurrikulumit të ambasadores kuptojmë se mund të kemi një vëmendje më të madhe amerikane lidhur me shqetësimin që ajo ka për rritjen e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor, dhe atë që sipas Neë York Times, e ka kthyer rajonin në fushëbetejë që të kujton Luftën e Ftohtë, ku rusët kanë akses në infrastrukturë dhe jetën publike
Zyrtarisht, Shqipëria shihet si imune ndaj Rusisë, por ajo mund të shërbejë si urë lidhëse e mirë e interesave të përbashkëta të rajonit, në një kohë kur marrëdhëniet midis vetë vendeve të Ballkanit nuk është se po shkëlqejnë.
Situata në rajon nuk duket aq e qetë edhe nga lënia “pas dyerve” e Brukselit, edhe pse pak kohë më parë vetë shefja e politikës së jashtme e BE-së, Federica Mogherini kishte këshilluar se, “mënyra më e mirë dhe efikase për të garantuar siguri dhe stabilitet është ajo e ankorimit në një perspektivë të besueshme në BE”.
Ikën Lu, vjen Kavalec, dhe debati që mbetet
A do jetë ambasadorja e re një diplomate që më së shumti do të ndjekë politikat e Trumpit apo do të vazhdojë linjën e vjetër të Departamentit të Shtetit? Si për të rritur pritshmëritë, para dy ditësh opozita bojkotoi pritjen e lamtumirës së Ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, duke shprehur pakënaqësitë dhe kundërshtimet me qëndrimet e tyre.
Megjithëse pyetja e mësipërme po shtrohet rëndom në mediat online, që prej publikimit të emrit të ambasadores, karriera e zonjës Kavalec por më shumë politika amerikane në Shqipëri e rajon shkojnë kundër surprizave.
Drejtori i Gazetës “Mapo”, Ervis Iljazaj, argumenton në një editorial të pak ditëve më parë se, karriera pothuajse 30-vjeçare e saj nuk lë vend për interpretime.
Iliazaj shkruan se, “ata që presin që ambasadorja e re do të mbërrinte në Shqipëri si një antimajtiste apo antisorrosiste, me qëllimin për të rrëzuar mazhorancën aktuale, shpresojnë më kot”. Sipas tij, eksperienca e saj në trupën diplomatike nuk flet për përkatësi ideologjike. Sepse në këndvështrimin e tij, dhe jo vetëm “nuk ka rëndësi se çfarë administrate amerikane emëron një ambasador, e majtë apo e djathtë. I vetmi mision i diplomatëve amerikanë është mbrojtja e interesave të shtetit të tyre”./Mapo