Një aksident i rëndë raportohet se ka ndodhur në orët e pasdites së sotme në rrugën Qafë Bualli-Krastë.
Një furgon i cili transportonte 5 minatorë nga Bulqiza në Krastë ka dalë nga rruga dhe ka rënë 50 metra në greminë.
Për pasojë kanë mbetur të plagosur 5 minatorët. Dy janë nisur drejt spitalit të Traumës në Tiranë, njëri me helikopter dhe tjetri me autoambulancë.
Ndërkohë tre të tjerë janë transportuar në spitalin e Bulqizës për mjekim.
Informacion paraprak
Rreth orës 17.50, Policia e Bulqizës ka marrë njoftim se në aksin e rrugës dytësore Krastë-Bulqizë, një automjet ka dalë nga rruga.
Menjëherë është ngritur grupi hetimor ku nga verifikimet paraprake kanë konstatuar se ka dalë rreth 20 metra poshtë rrugës, automjeti tip ‘Mercedez Benz’, me drejtues Y.H, dhe për pasojë janë dëmtuar pasagjerët, A.S, 45 vjeç, i cili është transportuar me helikopter drejt Tiranës, D.M, 42 vjeçe, është transportuar me ambulancë drejt Tiranës, Xh.K, 44 vjeçe, dhe V.K, 32 vjeçe, të cilat po marrin ndihmë në Spitalin e Bulqizës, jashtë rrezikut për jetën.
Po punohet për kapjen e drejtuesit të automjetit pasi është largur nga vendi i ngjarjes. Grupi hetimor vijon hetimet në vendin e ngjarjes, po punohet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.