Kolegji i Apelimit zbulon paaftësinë e Arta Markut dhe një lojë e pasinqertë e Natasha Mulaj

Nga Boldnews.al

Për herë të dytë brenda tre ditëve, Komisionet e Vetingut kanë nxjerrë në pah paaftësinë e Kryeprokurores së Përgjithshme, Arta Marku.

Fillimisht, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi pikëpyetje të mëdha mbi aftësitë profesionale të Markut, gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar. Ndërsa sot, nëpërmjet një njoftimi zyrtar të Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit, evidentohet një tjetër rast problematik i Kryeprokurores së Përkohshme.

Kolegji i Apelimit ka shqyrtuar ankimin e bashkëshortëve prokurorë, Rovena Gashi dhe Dritan Gina, të pezulluar në mesin e muajit Maj 2018 nga ana e Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku.

Me vendimet nr. 140 dhe 141, dt. 11.05.2018, Arta Marku vendosi: “pezullimin e prokurorëve Rovena Gashi dhe Dritan Gina…Vendimi mund të ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit…”.

Në vijim të këtij vendimi, prokurorët Gashi e Gina iu drejtuan me ankim Kolegjit të Apelimit, në të cilin kundërshtonin vendimin e pezullimit. Kolegji i Apelimit, në përfundim të shqyrtimit në Dhomën e Këshillimit, vendosi “moskalimin e çështjes për shqyrtim gjyqësor”, me argumentin se nuk i takon Kolegjit të Apelimit, por i takon Gjykatës së Apelit Administrativ.

Pra, në këtë mënyrë, Kolegji i Apelimit, konstatoi se vendimi i Arta Markut, me të cilin orientonte prokurorët e pezulluar Gashi e Gina për ankim pranë këtij institucioni, ishte tërësisht i gabuar. Sipas Kolegjit të Apelimit, Arta Marku nuk e ka kuptuar drejt ligjin, duke shënuar kështu të dytin rast brenda pak ditësh, ku vihet në dyshim kapaciteti profesional i Kryeprokurores së Përkohshme.

Nga ana tjetër, pavarësisht se vendimi i trupës gjyqësore të Kolegjit të Apelimit që ka shqyrtuar këtë çështje është i qartë, njoftimi zyrtar i këtij institucioni për rastin në fjalë shoqërohet me disa boshllëqe, të cilat krijojnë hapësira për keqinterpretim publik.

Zyra e shtypit e kryetares së Kolegjit të Apelimit, Natasha Mulaj, deklaron se: Kolegji i shqyrtimit paraprak të ankimit, me vendimin nr. 2/2018 (JD), datë 21.06.2018, …..vendosi:

Moskalimin për shqyrtim në seancë plenare të çështjes nr. 2/2018 (JD), datë 17.05.2018 me palë ankuese znj. Rovena Gashi dhe z. Dritan Gina.

Objekt i këtij ankimi ishte “anulimi i vendimit nr. 140, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku dhe anulimi i vendimit nr. 141, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku etj.”…..

I ndërtuar në këtë formë, njoftimi zyrtar është lexuar nga media si një rrëzim që Kolegji i Posaçëm i Apelimit i ka bërë ankimit të prokurorëve bashkëshortë, Rovena Gashi e Dritan Gina.

Njoftimi i Kolegjit të Apelimit është i paplotë, pasi në të nuk është përmendur që Kolegji i Apelimit, pas shqyrtimit, ka caktuar se nuk është ai kompetent për shqyrtimin e çështjeve të kësaj natyre, por është Gjykata e Apelit Administrativ. Pra, zyra e Natasha Mulaj ka preferuar të krijojë paqartësi publike mbi vendimin e trupës gjyqësore të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Pak javë më parë, bashkëshortët Gashi e Gina publikuan një reagim publik ndaj kryetares së Kolegjit të Apelimit, Natasha Mulaj, pasi, ata vlerësonin se drejtuesja e shkallës së dytë të Vetingut po vononte qëllimisht hedhjen e shortit për shqyrtimin e ankimit të tyre për pezullimin nga detyra.

Kryetarja e Kolegjit të Apelimit, Natasha Mulaj, nuk reagoi ndaj akuzave publike të prokurorëve Gashi e Gina. Mesa duket, ka zgjedhur që të reagojë, duke shpërndarë një njoftim zyrtar gjysmak, për të krijuar një perceptim të gabuar mbi ecurinë e procedurave ankimuese të prokurorëve Rovena Gashi e Dritan Gina.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *