Sulmuesi i Francës, Florain Thauvin, bëri debutimin e tij në fitoren e “Gjelave” kundër Argjentinës të shtunën, por ai uli euforinë e kalimit në çerekfinale duke paralajmëruar shokët e skuadrës se ata duhet të jenë plotësisht të fokusuar për t’u përballur me një ekip të fortë si Uruguai. Ylli i Marseille beson se skuadra e Amerikës së Jugut luan me një stil të ngjashëm me atë të Atletico Madridit, me spanjollët që mundën ekipin e tij në finale të Europa League në sezonin e fundit. “Ata kanë Godin dhe Gimenez që kanë shumë përvojë, e njohin mirë njëri-tjetrin, japin gjithçka dhe bëjnë pak gabime”, tha sulmuesi i talentuar francez.
“Duhet të gjejmë hapësirë, t’u qëndrojmë pas, sepse mendoj se pika me e dobët e tyre është shpejtësia. Do t’i studiojmë ata nga afër këtë javë dhe do të jetë një ndeshje e vështirë”, vazhdoi Thauvin duke treguar në këtë mënyrë filozofinë që mund të ndjekin “Gjelat” kundër Uruguait, që vjen në fazën çerekfinale, pasi mposhti Portugalinë 2-1. “Franca ngriti nivelin në ndeshjen kundër Argjentinës, kur ishte e nevojshme për ne. Ne e festuam atë siç e meritonte dhe të gjithë duhet të jemi krenarë. Të gjithë do ta kujtojmë atë ndeshje. Ishte e vështirë të flinim pas saj dhe unë jam pak i lodhur sot”, shtoi 25-vjeçari që ka tërhequr interesin e disa klubeve të mëdha në merkaton e verës pas një sezoni fantastik në Ligue 1 me Marseille, por edhe për shfaqjet e tij në Europa League, ku ekipi i tij arriti deri në finale.