Pirueta e Ramës me kampet, njëlloj si me armët kimike

Edi Rama në dijeni nga takimi me Presidentin francez Emanuel Makron, se vendimi për hapjen e negociatave do të ishte negativ, hodhi në treg kartën e Ngritjes së Kampeve të Afrikanëve në Shqipëri.

Këtë angazhim të rrezikshëm Rama e mori duke menduar se do të mund të merrte në shkëmbim në rastin më të mirë hapjen e negociatave ose së paku një formulim të dykuptimtë (ambigy) për mos’hapjen e tyre, në mënyrë që ai ta përdorte si gomardare shpëtimi nga kritikat e forta dhe revolta eventuale e qytetarëve shqiptarë.

Këtë nismë të Ramës e mbështetën ose e deklaruan disa drejtues europianë dhe mediat europiane. Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelarin austriak bashkëdeklaroi se Shqipëria do të ishte gati të priste dhe strehonte azilkërkuesit afrikanë. Zëvendësministri i Brendshëm i qeverisë Rama, Julian Hodaj, deklaroi se Shqipëria i ka të gjithë kapacitetet dhe eksperiencën për të pritur e strehuar azilkërkuesit afrikanë, madje duke deklaruar se kapaciteti arrinte deri në 600 mijë azilkërkues.

Presidenti i Parlamentin Europian, Antonio Tajani, deklaroi se i shihte në Shqipëri kampet e Strehimit të Azilanëtëve Afrikanë. Deputeti i CDU, Johan Ëadphul deklaroi se s’ja ka kërkuar Europa Ramës ngritjen e kampeve të strehimit të azilkërkuesve afrikanë, por i ka kërkuar vetë Rama dhe shumë vende të BE janë dakord…

Media europiane shkroi jo vetëm për kërkesën e Ramës por edhe për planin austriako-danez për ngritjen e kampeve të azilantëve në Shqipëri. Revista gjermane Focus shkroi se Shqipëria është ‘vend ideal’ për azilantët.

Madje edhe radio serioze DW në një analizë të saj la të kuptohej se kërkesa e Ramës për ngritjen e kampeve të azilantëve në Shqipëri mund të shpëtonte qeverinë gjermane nga kriza e krijuar nga ministri i Brendshëm i CSU?!

Nuk pati asnjë drejtues europian që të dilte dhe ta kundërshtonte këtë kërkesë hileqare dhe diabolike të Ramës, të ngjashme me atë të armëve kimike siriane, ndërkohë që shumë njerëz të ndershëm e konsideronin këtë veprim një lojë tinzare e diabolike të Ramës për interesa të ngushta personale…

Sapo Rama mori vesh së disa vende serioze në dijeni të lojës së Ramës do ta refuzonin këtë kërkesë dhe se nuk do të pranonin të bënin kompromis me çështjen e negociatave, filloi të deklaronte se ishte kundër ngritjes se Kampeve të Azilkërkuesve Afrikanë në Shqipëri.

Madje deklaroi se ai asnjëherë nuk e ka bërë një kërkesë të tillë duke akuzuar me teatralitetin e tij atipik se ‘ngritja e kampeve të azilkërkuesve afrikanë në Shqipëri ishte shpikje e kundërshtarëve të tij dhe e media së kazanit’…

E gjithë kjo piruetë është e ngjashme me atë që Rama bëri me armët kimike siriane “duke zhgënjyer” edhe amerikanët, ndonëse kishte në sirtar letrën e falënderimit të Presidentit Obama?!

E vërteta për mos ngritjen e Kampeve të Strehimit të Azilkërkuesve afrikanë në Shqipëri është e njëjtë me atë të mos lejimit të Depozitimit të Armëve Kimike Sirianë në Shqipëri. Arsyeja lidhet me korrupsionin, lidhjet me krimin e trafiqet, paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e qeverisë Rama për të ndërmarrë detyra kaq delikate dhe të komplikuara, ose më saktë me probabilitetin shumë të lartë që këto të dy sipërmarrje do të dështonin.

Disa vende serioze të BE, duke analizuar nivelin e lartë të korrupsionit dhe lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar rajonal e ndërkombëtar dhe trafikantët e drogës e të armëve, kishin arritur në përfundimin se Shqipëria mund të kthehej në një vend i shpërndarjes armët kimike në të gjithë rajonin e më gjerë në Europë.

Edhe për çështjen e kampeve të azilkërkuesve, të njëjtat vënde serioze të BE, arritën në përfundimin se me ngritjen e Kampeve të Azilkërkuesve Afrikanë në Shqipëri, do të viheshe në veprim trafikantët e qenieve njerëzore, që kanë nën kontroll të gjithë rrjetin e trafiqeve të kanabisit e të drogës, për ti nisur me skafe të gjithë azilkërkuesit drejt Italisë ose për ti hedhur në det nëse reagimi nga Italia do të ishte i ashpër.

Këto arsye i shtynë vendet europiane të refuzonin këtë kërkesë diabolike të Ramës dhe të mos pranonin të bënin pazare me Ramën që synonte të shfrytëzonte këtë shqetësim të BE për interesat e pushteti të tij personal, duke i kërkuar në shkëmbim hapjen e negociatave, menjëherë dhe pa kushte.

Pasi disa nga vendet serioze të BE e kuptuan lojën mbrapshtë, Rama del e deklaron se s’ka kërkuar asnjëherë ngritjen e Kampeve të Strehimit të Azilkërkuesve Afrikanë në Shqipëri dhe as që është diskutuar një çështje e tillë.

Duke mashtruar po ashtu si me armët kimike siriane… Por të gjithë kanë kuptuar arsyet e kësaj piruete të shëmtuar, përveç disa zyrtarëve të kompromentuar të Brukselit të cilëve Rama iu lutet ta mbështesin./syri.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *