Festa e shtyrjes së negociatave/ Rama ndan medalje për ambasadorët në Hollandë e Francë

Mund të quhet edhe “festa e dështimit” ceremonia që u zhvillua këtë të premte në Ministrinë e Jashtme. Sepse në fund të një një gare apo sfide, çmimet dhe mirënjohja zakonisht iu shkojnë fituesve, njerëzve të suksesshëm, triumfuesve që ia dalin në rezultate, kurse në kremtimin qeveritar tek Ministria e Jashtme u shpërblyen me medalje ambasadorët që kishin dështuar për negociatat, Aida Sakiqi e Hollandës dhe Dritan Tola i Francës.

Vërtet jam shumë i emocionuar. Më kapët papritur. Kjo është një surprizë për ne”, tha Tola, ambasadori ynë në Francë, i habitur nga vlerësimi që mori në Tiranë.

Medaljet e mirënjohjes u dhanë edhe për ambasadoren tonë në Bruksel, Suela Janina, për të cilën kryeministri tha se kishte qenë në “anën më miqësore të frontit” dhe për Artur Kukon, ambasadorin tonë në Gjermani.

Duhet thënë se i vetmi që e meritoi medaljen e Mirënjohjes është ambasadori ynë në Gjermani. Kuko ishte i detyruar të kalonte ca momente të vështira, kur Rama ishte në Berlin dhe u refuzua në bllok nga deputetët e Bundestagut. Darka e refuzuar nga deputetët gjermanë, në një nga lokalet më të shtrenjta të Berlinit duhet të kenë qenë një siklet i rrallë për ambasadorin, nga ata që vetëm një vizitë e Ramës mund ta rezervojë.

Negociatat nuk u hapën për Shqipërinë. BE shtyu me një vit vendimin për hapjen e negociatave, duke qartësuar kushtet dhe pritshmëritë nga qeveria shqiptare. Për të fshehur dështimin në Bruksel, Rama organizon kremtime dhe ndan medalje mirënjohjeje për ambasadorët, kur në fakt siç e tha edhe vetë, ka përpara një vit punë më shumë./lapsi.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *