Nga Boldnews.al
Tashmë është e qartë, për prishjen e Teatrit Kombëtar nuk është investuar vetëm Bashkia e Tiranës, por edhe vetë qeveria, që me procedurë të përshpejtuar ka kaluar projektligjin që i hap rrugë shembjes së teatrit dhe ngritjes së shtatë kullave pranë. Gjithçka ka ndodhur me një gjest akrobatik dhe fort djallëzor të kryebashkiakut Erion Veliaj. Pak çaste pasi dha deklaratën se është arritur marrëveshja me artistët për Teatrin e Ri Kombëtar erdhi edhe lëvizja e fundit e qeverisë. Këshilli i Ministrave ka kaluar dje projektligjin, duke e njoftuar këtë vendim edhe në faqen zyrtare të kryeministrisë.
“Ky projektligj reflekton opinionet e diskutimet e vazhdueshme me komunitetin e artistëve, arkitektëve, opinionet e qytetarëve të lirë gjatë konsultimeve me përfaqësues të Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës”-thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave, që mban firmën e zëvendëskryeministres Senida Mesi.
Përfundimisht Erion Veliaj arriti jo vetëm të përçantë aktorët, por me mjeshtrinë e mashtrimit, mundi të jepte disa premtime që turbulluan mendjen e aktorëve të çoroditur nga “fjalët pa fund” të Lali Erit. Ai u premtoi se nuk do të prekej asnjë centimetër hapësirë e teatrit kombëtar, pasi teatri aktual do shembej dhe mbi ngrehinat e tij do ndërtohet një i ri.
“Projektligji i ri pasqyron thelbësisht kërkesat e komunitetit të artistëve lidhur me ruajtjen e pronës së teatrit, me standardet e domosdoshme europiane për një teatër dinjitoz kombëtar dhe me pjesëmarrjen e qartë të 2 (dy) përfaqësuesve të artistëve në procesin e negociimit”-thuhet në relacionin përcjellës të projektligjit të qeverisë, që pritet të kalohet me urgjencë në Parlament, para nisjes së pushimeve.
Gjithçka ka një qëllim të pastër i cili lidhet me dhënien e lejës së ndërtimit për shtatë kulla pranë truallit të Teatrit Kombëtar. Si “shpërblim” për këto leje, bashkia ka kërkuar që kompania ndërtuese të ngrejë teatrin e ri kombëtar. Një pjesë e artistëve që janë pranë Veliajt këtë e kërkonin prej kohësh, por të tjerë më të “moderuar” shpreheshin për ngritjen e teatrit të ri, por të mos prekej trualli që ishte në pronësi të saj. Nga ana tjetër Lali Eri arriti të përçajë artistët duke u premtuar se trualli nuk do të preket, por teatri aktual do të prishet përfundimisht.
Me mashtrime, projektligje që sanksiononin prishjen e Teatrit Kombëtar dhe kalimin e draftit për miratim në Parlament me procedurë të përshpejtuar ishin format që Lali Eri mposhti një komunitet artistësh dhe qytetarësh që ishin kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar, që mban vlera arkitekturore dhe historike.