Nga BoldNews
Donald Lu do të dalë të Enjten, dt. 28.qershor, para Senatit Amerikan, në një seancë dëgjimore ku do të diskutohet për kandidaturën e tij si Ambasador i SHBA në Republikën e Kirgistanit. Seanca është parashikuar të zhvillohet në orën 10.30, sipas orës amerikane.
Kjo është hera e dytë që ambasadori Lu merr pjesë në një seancë dëgjimore të Senatit. Për herë të parë ai ka dalë kur u nominua nga administrata Obama si ambasador në Shqipëri. Në Tiranë, Donald Lu ushtroi mandatin e tij të parë si ambasador, pasi deri në atë kohë kishte arritur deri në nivelin e zv.ambasadorit.
Ndryshe nga hera e parë, pritet që seanca dëgjimore e të Enjtes të jetë më e ngarkuar për ambasadorin Lu. Në fillim të vitit 2017, Donald Lu ishte pjesë e një misioni verifikues, të ndërmarrë nga 6 kongresmenë amerikanë, të cilit po shqyrtonin lidhjet e mundshme të administratës Obama me multi-miliarderin Xhorxh Soros.
Misioni fakt-mbledhës i kongresmenëve në Ballkan dhe në Europën Qendrore njoftoi Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë për lidhje të forta që Soros, i konsideruar si kundërshtari më i madh i presidentit aktual, Donald Trump, kishte krijuar në vende si Shqipëria, Maqedonia, e të tjerë.
Gjithashtu, një investigim i Prillit 2018, realizuar nga agjencia “Judical Ëatch” hidhte dyshime të forta se ambasada amerikane në Tiranë kishte krijuar marrëdhënie të konsoliduara me rrjetin Soros dhe se, rreth 9 milion dollarë të dhëna nëpërmjet USAID për zhvillimin e demokracisë në Shqipëri, ishin kanalizuar në organizatat joqeveritare të lidhura me Sorosin.
Ambasadori Lu i hodhi poshtë zërat për lidhjet e tij dhe të administratës së tij me multi-miliarderin Soros, nëpërmjet një deklarate të cituar nga “Zëri i Amerikës” në edicionin shqip. Megjithatë, ai, me shumë mundësi, do të duhet të ri-sqarojë pozicionin e tij para Senatit, kësaj here përballë rezultateve të misionit fakt-mbledhës së kongresmenëve, si edhe dokumentave zyrtarë të publikuar nga “Judical Ëatch”.
Nga ana tjetër, para se të shpalosë strategjinë e tij për mandatin në Kirgistan, Donald Lu do të duhet të prezantojë aktivitetin e tij edhe në Shqipëri, ku, natyrisht, për shkak të ndërhyrjeve të tij të forta, ka krijuar emocione të ndryshme në fushën politike.
Që në fillim të mandatit të tij në Tiranë, në vitin 2014, Donald Lu u rreshtua në radhën e zyrtarëve që mbështetën fort realizimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Nën petkun e qeverisë më të fuqishme në botë, Lu e trajtoi shumë personale draftimin e Reformës, pavarësisht problematikave që ajo kishte që në fillim dhe që po duken qartë pas miratimit të tyre.
Donald Lu synoi që ndryshimet Kushtetuese dhe ligjore në Shqipëri, në kuadër të Reformës në Drejtësi, të realizoheshin brenda mandatit të tij si ambasador, për ta konsideruar si trofe personal. Në këtë frymë, ai u rreshtua në krah të qeverisë së Edi Ramës, duke iu kundërvënë opozitës, e cila kundërshtonte projektet e maxhorancës, të cilat synonin kapjen e sistemit të drejtësisë nga Partia Socialiste.
Qëndrimet e tij, sidomos ato hapur kundër opozitës, cënuan imazhin e ambasadorit të vendit më të vlerësuar nga qytetarët shqiptarë. Sondazhe, të brendshme të ambasadës, por edhe të pavarura, dëshmuan se popullariteti i Donald Lu u ul ndjeshëm, për shkak të qëndrimeve të tij haptazi pro maxhorancës qeverisë të Edi Ramës.
Donald Lu, nga ana tjetër, ishte mbështetësi kryesor i betejës opozitare për ‘Dekriminalizimin” e politikës. Gjithësesi, ai nuk u tregua aspak konseguent, kur të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale ishin eksponentë të lartë qeveritarë. Ambasadori Lu do të mbahet mend në Shqipëri për heshtjen e tij olimpike lidhur me kanabizimin e plotë të vendit në periudhën 2015-2016, ndërkohë që ai ishte aktiv në publik edhe për çështje shumë më periferike.
Gjithashtu, Donald Lu loboi fort, dhe ia arriti, që, Saimir Tahiri, të ishte pjesë në takimin e realizuar nga Kryeministri Edi Rama me Presidentin Barak Obama, në Zyrën Ovale, në një kohë që ish-ministri i Brendshëm ishte pjesë e hetimit për përfshirje në organizatë kriminale trafiku nga autoritetet italiane.
Ambasadori Lu mbajti qëndrim mbështetës për Tahirin, edhe kur Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi nga Parlamenti autorizimin për arrestimin e tij, si pjesë e bandës së narko-trafikut “Habilaj”.
Nga ana tjetër, Lu u përplas ashpër me ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, të cilin, në kohë të ndryshme e ka konsideruar si “pengues të Reformës” dhe “të korruptuar që e ka vendin në burg”. Nga ana tjetër, Llalla e ka akuzuar Donald Lu se ka ndërhyrë, për interesa personale, në hetimin e nisur për kompaninë e naftës “Bankers Petroleum”.
Pas largimit të Llallës nga posti, në media u zbulua një letër që ai i kishte dërguar rreth një vit më parë Kongresit Amerikan, si përgjigje e një kërkese që i ishte drejtuar nga institucioni në Uashington. Në këtë letër, Llalla, krahas të dhënave lidhur me ndërhyrjen e Donald Lu për çështjen “Bankers..”, zbuloi edhe faktin se ambasadori amerikan i kishte kërkuar arrestimin, qoftë edhe pa prova, të Ilir Metës, në atë kohë Kryetar i Parlamentit dhe sot President i Republikës.
Ambasadori Lu hodhi poshtë pretendimet e Llallës se kishte kërkuar arrestimin e Metës. Gjithësesi, ai nuk mohoi asnjëherë publikisht ndërhyrjen në hetimin për “Bankers Petroleum”. Me shumë mundësi, edhe këto çështje pritet të jenë pjesë e diskutimeve në seancën dëgjimore që do të zhvillojë Senati me Donald Lu, zyrtarin e nominuar për postin e ambasadorit të SHBA në Republikën e Kirgistanit, në Azinë e Largët.