Importi i fruta-perimeve vazhdon me ritme të larta, ndër 10 mallrat kryesore

Frutat dhe perimet u klasifikuan nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave si një ndër 10 mallrat më të importuar në vend gjatë tremujorit të parë të vitit 2018.

Sipas të dhënave zyrtare, frutat dhe perimet u renditën të nëntat në radhë në listën e 20 mallrave të importuara nga jashtë. Nga zhdoganimi i tyre, doganat kanë arkëtuar 738 milionë lekë të ardhura 5,5 milionë euro. Edhe pse prodhimet e frutave dhe perimeve në vend po vijnë në rritje, ato nuk po plotësojnë ende hendekun në tregun vendas dhe sidomos në prodhimin vendas.

Deficiti në tregtinë me jashtë të fruta-perimeve zakonisht është i lartë në tremujorin e parë të çdo viti për shkak se ende nuk kanë dalë në treg prodhimet e stinës, teksa shihet se importet në këtë periudhë vijnë nga vendet mesdhetare të tilla si Greqia dhe Italia.
Më 2017, për herë të parë që nga liberalizimi i tregtisë me jashtë, eksportet e fruta-perimeve ishin 14% më të larta se importet e këtij grupi.

Sipas INSTAT, eksportet e frutave dhe zarzavateve arritën në 9.6 miliardë lekë me një rritje 21% nga viti 2016. Ndërsa importet arritën në 8.3 miliardë lekë me një rritje prej 0.2% kundrejt vitit 2016. Si importet dhe eksportet kanë ardhur në rritje që nga viti 2012, por shitjet jashtë vendit janë rritur me ritme më të shpejta.
Produkti më i importuar në tremujorin e parë ishin karburantet, të cilat kontribuuan me 8.4 miliardë lekë taksa në arkën e doganave ose në 23 për qind të te ardhurave doganore.

Produkti i dytë më i importuar për nga vlera ishin cigaret, prej të cilave u mblodhën rreth 5 miliardë leka taksa në tremujorin e parë të 2018 ose me 13.8% të të ardhurave doganore gjithsej për periudhën.
Më tej artikujt më të importuar në bazë të vlerës ishin automjetet e metalet bazë, automjetet e përdorura, produktet e plastikës, veshjet, energji elektrike./Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *