Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, nis takimi Thaçi-Vuçiç në Brukse

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç kanë nisur takimin në Bruksel, në kuadër të dialogut politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Mikpritëse e takimit është Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini.
Zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijançiç, përmes një postimi në Twitter, ka njoftuar për nisjen e takimit të përbashkët, ku siç ka thënë ajo, do të bisedohet për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

kocijancic

Në fokus të bisedimeve pritet të jenë marrëveshjet e arritura deri më tani, sfidat e zbatimin e tyre si dhe hapat e mëtejmë drejt normalizimit të marrëdhënieve.​

Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë është e domosdoshme për synimin e Kosovës që të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, ka deklaruar para nisjes në Bruksel, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai ka shtuar se Kosova edhe në fazën finale të dialogut më Serbinë do të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që sipas tij, është e interesuar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

Sipas tij, Kosova në asnjë rrethanë nuk mund të refuzojë dialogun dhe negociatat me Serbinë.
“Na presin bisedime të rënda, të vështira. Tani synojmë ta përmbyllim këtë proces duke bërë marrëveshjen gjithëpërfshirëse historike dhe politike me Serbinë. Çështja e dialogut me Serbinë dhe arritja e kësaj marrëveshjeje ka interes të karakterit nacional dhe shtetëror për Kosovën, kështu që duhet të rezonojmë me përgjegjësi të lartë”, theksoi Thaçi.

Marrëveshja me Serbinë, ka shtuar presidenti Thaçi, do të jetë finale dhe nëse arrihet, kjo marrëveshje do të nënkuptonte ndryshime dramatike të realitetit mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në dy nivele, atë politik, ku delegacionet përfaqësohen nga presidentët e shteteve apo kryeministrat, dhe niveli teknik, që zhvillohet përmes ekipeve të ekspertëve, ministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve nga të dyja shtetet.

Fillimisht, bisedimet nisën me takimet në nivelin teknik në mars të vitit 2011. Por, ndërkohë, po me lehtësimin e Brukselit, u iniciuan edhe takimet në nivelet më të larta politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *