Italia thotë se nuk do të nënshkruajë asnjë plan të Bashkimit Evropian për ndalimin e migracionit të paligjshëm në Evropë, nëse nuk i japin përparësi Italisë.
Krerët e 10 shteteve anëtare planifikojnë të takohen në Bruksel të dielën, për të marrë masa për të shtrënguar kontrollet kufitare dhe për të penguar hyrjen e emigrantëve brenda vendeve të bllokut.
Italia tani është pika kryesore e mbërritjes së barkave të emigrantëve, kryesisht afrikanë që ikin nga kaosi dhe dhuna në Libi.
“Ne kemi nevojë për ndihmë tani,” tha Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini në një postim në Tëitter. “Nëse ne do të shkojmë në Bruksel për të marrë ‘detyrat e shtëpisë’ të përgatitura nga francezët dhe gjermanët… kryeministri do të bënte më mirë që të kursente biletën e avionit.”
Javën e kaluar Italia refuzoi anijen shpëtuese Aquarius me 630 emigrantë në bordin që të futej në portet e saj duke shkaktuar tension diplomatik me Francën.
Kancelari i krahut të djathtë të Austrisë Sebastian Kurz po takon udhëheqësit e katër shteteve fqinje të BE që ndajnë një qëndrim të ashpër mbi çështjen e emigracionit.
Grupi i Vishegradit – Polonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria, refuzojnë të marrin refugjat nga Italia apo Greqia.
Sipas BBC, bisedimet e së dielës vijnë mes përçarjeve brenda BE lidhur me migracionin dhe azil-kërkimin, duke lënë në hije samitin e BE që do mbahet më 28-29 qershor.