Veliaj vë në rresht arkitektët për të prishur Teatrin Kombëtar

Nga Boldnews.al

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori të hënën “bekimin” e arkitektëve kryeqytetas për prishjen e Teatrit Kombëtar, në një takim që krijonte idenë e një bisede ndërmjet bosit dhe vartësve.

Kryebashkiaku Veliaj, zyrtari që ka shënuar emrin e tij në ngritjen e kullave më të mëdha në Tiranë duke minimuzuar hapësirat publike, zhvilloi një takim propagandë me specialistët, të cilët i lidh puna çdo ditë me Bashkinë e kryeqytetit.

Folësit në këtë takim ishin të gjithë në unison-godina e Teatrit Kombëtar duhet prishur, pasi ajo është degraduar. Asnjëri prej tyre nuk dha një mendim alternativ, ndoshta edhe për faktin se arkitektët kanë gjykim më të ftohtë për ndërtimet. Ose, kjo e dyta ka më shumë mundësi, nuk do të dëshironin që të shkaktonin një përplasje me Erion Veliajn, e cila do të kthehej në refuzime për lejesh ndërtimi në të ardhmen e tyre.

Gjithësesi, Veliaj, si pasojë e këtij raporti me arkitektët e urbanistët, arriti të sigurojë një fitore publike përballë artistëve. Ai shfrytëzoi disa njerëz, një pjesë e të cilëve të aftë në punën e tyre, por të detyruar të punojnë nën “vasalitetin” e kryebashkiakut të Tiranës, për t’u treguar aktorëve e regjisorëve se e kanë gabim që kundërshtojnë rrëzimin e godinës së Teatrit Kombëtar.

Pra, ai arriti të shfokusojë, të paktën gjatë këtij takimi, kundërshtimin themelor që kanë artistët ndaj projektit të Bashkisë së Tiranës. Artistët nuk janë kundër rrëzimit apo ristrukturimit të godinës-për aktorët e regjisorët, kjo është çështje e arkitektëve e inxhinjerëve. Por ata janë kundër shfrytëzimit të hapësirës së Teatrit për ngritjen e një projekti gjigand kullash.

Asnjë prej arkitektëve në takimin e detyruar me kryebashkiakun Veliaj nuk e preku këtë çështje. Ata folën për aspektin teknik, për nevojën e një godine të re, të mirëorganizuar, e të tjerë. Por asnjë prej tyre nuk preku thelbin e debatit ndërmjet qeverisë e Bashkisë së Tiranës nga njëra anë dhe artistëve nga ana tjetër.

Në takim nuk u përmend aspak fakti se qeveria, vetëm për të ngritur një kompleks gjigand kullash në vendin ku gjendet Teatrit Kombëtar, po synon të miratojë një ligj “të jashtëzakonshëm”. Këto lloj ligjesh janë hartuar e miratuar në situata emergjente, kryesisht në situata ekstreme natyrore. Ngritja e një kompleksi kullash në qendër të Tiranës, natyrisht, nuk përfshihet në situatat e emergjencave natyrore.

Arkitetektët, e dirigjuar nga Veliaj, u shprehën njëzëri për nevojën e shembjes dhe rindërtimit të një godine të re, për shkak se ajo ekzistuesja është në kushte të mjerueshme. Por, sërish, asnjë prej këtyre arkitektëve nuk shprehu mendimin nëse Teatri i ri duhej të ndërtohej si një njësi më vetë strukturore apo ajo të ishte e inkorporuar në kompleksin e kullave, siç synon projekti qeverisë-bashki.

Në përmbyllje të këtij takimi të dytë, pas atij të parit me artistët, Erion Veliaj vijon të duket i bindur se godina e Teatrit do të shëmbet dhe do të ndërtohet brenda kompleksit të ri të kullave. Këtë e konfirmoi, duke risjellë si shembull suksesi, “stadiumin me Kullë”. Ndaj, duket e qartë se këto “dëgjesa publike” janë thjesht dhe vetëm pjesë e propagandës bashkiake për të siguruar variantin që tashmë Rama-Veliaj e kanë miratuar-shkatërrimin e Teatrit dhe ndërtimin e një të riu, si pjesë përbërëse e kompleksit të kullave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *