Një deputet i Agimit të Artë është paditur të premten për tradhëti të lartë.
Padinë e dorëzuan në gjykatën e Athinës, ministri i mbrojtjes Panos Kammenos dhe zëvendësministri, Fotis Kuvelis.
“Gjithë kuadrot e forcave të armatosura zbatojnë kushtetutën dhe ligjet e shtetit, janë betuar t’i shërbejnë sistemit demokratik. Nuk ekzistojnë më fantazma nga e kaluara që i kushtuan shumë shtrenjtë vendit tonë”, deklaroi Kammenos pas paraqitjes në gjykatë.
Më herët, nga tribuna e parlamentit, deputeti i Agimit të Artë Kostas Barbarusis, kishte bërë thirrje për grusht shteti, me shkas marrëveshjen Athinë-Shkup.
“Meqenëse udhëheqja e vendit nuk punon për të mirën e vendit, po për interesin e vet personal, i bëj thirrje udhëheqjes ushtarake të vendit të respektojë betimin e vet dhe të arrestojë Tsiprasin, Kammenon dhe Pavlopoulon, me qëllim që të shmanget kjo tradhëti. Kokat tuaj në Prespë!”, deklaroi deputeti ekstremist që kishte marrë fjalën gjatë debatit parlamentar për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.
Sipas medias greke, deklarata të tilla kaq monstruoze nuk janë dëgjuar kurrë më parë në parlamentin grek, që nga vendosja e demokracisë në 1974.
Madje edhe vetë partia Agimi i Artë reagoi menjëherë, duke e përjashtuar Barbarusin nga grupi parlamentar.
Gjithë forcat përparimtare politike dënuan deklaratat e deputetit ekstremist.