OSBE kundër ligjit të Tv private për të ndarë lekët që paguajnë shqiptarët

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, tha sot se ishte i shqetësuar për propozimet e kohëve të fundit për ndryshimin e ligjit “Për median audiovizive” në Shqipëri.

Autoriteti i Medias Audiovizive në vend i transmetoi Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë disa ndryshime në ligjin “Për median audiovizive”, më 8 qershor. Ndryshimet u hartuan nga pronarët dhe drejtuesit e katër stacioneve televizive lokale dhe dy kombëtare në Shqipëri. Një nga kërkesat e tyre kryesore është që transmetuesve privatë t’u jepet një pjesë e tarifës të shërbimit për përdorimin e aparateve televizive, me të cilën momentalisht financohet transmetuesi publik, RTSH.

“Jam i shqetësuar se ky propozim mund të dëmtojë qëndrueshmërinë financiare të RTSH-së”, tha Désir. “Transmetuesit publikë kanë një rol të rëndësishëm në dhënien e informacionit cilësor dhe në mbulimin e tërë territorit, dhe duhet të kenë burimet e duhura për të përmbushur detyrën e tyre”.

“Çdo sistem subvencionesh shtetërore për median duhet të jetë objekt i një konsultimi publik, ku të përfshihen të gjithë aktorët e medias. Gjithashtu, ai duhet të ketë një objektiv të qartë dhe të gjerë për mbështetjen e të gjithë sektorëve të medias, përfshirë atë online, shtypin dhe median lokale, me kritere dhe procedura transparente, pa ndërhyrje politike dhe me qëllimin për të forcuar pluralizmin në media”, shtoi ai.

Përfaqësuesi ofroi mbështetjen e Zyrës së tij për një analizë ligjore të çdo projektligji për median, pasi ai të propozohet zyrtarisht nga qeveria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *