Erdogan: Do të ndërmarrin një operacion kundër Moody’s

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka premtuar se do të ndërmarrë masa kundër agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit, Moody’s pas zgjedhjeve parlamentare pasi analistët e kompanisë e vendosën Turqinë në kuota më të ulëta.

“Me vullnetin e Zotit, ne do të kryejmë një operacion kundër Moody’s pas 24 qershorit,” i tha Erdogan, Agjencisë shtetërore “Anadolu” me bazë në Ankara.

“Moody’s po bën deklarata të panevojshme përkundër faktit se ne nuk jemi anëtarë të saj. Sa turp.”

Sipas presidentit turk, agjencia amerikane e vlerësimit ishte duke vënë Turqinë në një situatë të vështirë.

Më 1 qershor, agjencia e vlerësimit tha se mungesa e qartësisë në lidhje me politikën ekonomike turke kishte vënë në rrezik vlerësimet Ba2 të vendit.

Vendimi u raportua mes “pritjes se erozioni i fundit në besimin e investitorëve në Turqi do të vazhdojë nëse nuk trajtohet nëpërmjet veprimeve të politikave të besueshme pas zgjedhjeve të qershorit”.

Agjencia gjithashtu tha se “besueshmëria e institucioneve të politikës turke është dëmtuar nga mungesa e efektivitetit të politikës monetare, duke reflektuar ndërhyrjen politike në procesin e hartimit të politikave. ”

Muajin e kaluar, lira turke arriti një rekord të ulët prej 4.92 kundrejt dollarit amerikan, duke e detyruar bankën qendrore të vendit të rriste normat për të trajtuar një krizë potenciale valutore. Përkundër kësaj, Turqia arriti të mbledhë 4 miliardë dollarë nëpërmjet shitjes së bonove në fillim të këtij viti, sipas thesarit të vendit.

Megjithatë, investitorët janë të alarmuar nga zgjedhjet e ardhshme dhe premtimet e Erdoganit për të marrë kontrollin më të rreptë mbi politikën monetare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *