Atentatori i Azem Hajdarit shpallet ‘Qytetar Nderi’, Noka apel Ramës: Tërhiqu, vendim skandaloz

Deputeti i PD-së Flamur Noka ka denoncuar sot një vendim skandaloz siç e konsideroi ai, nga ana e Kryeministrit Edi Rama, dhënien e titullit “Qytetar Nderi” të Hasit, Gafurr Mazrekut – atentatorit të Azem Hajdarit. Noka i ka bërë thirrje Ramës ta tërheqë menjëherë këtë vendim.

Deklarata e plotë:

Dy dekada pas atentatit brenda në Parlament kundër Azem Hajdarit, atentatori, deputeti i Partisë Socialiste në atë kohë, Gafurr Mazreku propozohet nga Edi Rama per t’i dhënë titullin “Qytetar Nderi”.

Partia Demokratike disponon propozimin që Kryetari i Bashkisë së Hasit i ka bërë Këshillit Bashkiak për të nderuar një vrasës si Gafurr Mazreku me titullin më të lartë që mund të japë pushteti lokal.

Nderimi i një deputeti që ka përdorur armën brenda sallës së Parlamentit kundër Azem Hajdarit është modeli që Edi Rama ka ndjekur që kur ka ardhur në pushtet.

Është modeli që nderon dhe i jep pushtet kriminelëve në parlament, qeveri dhe bashki, siç është rasti i Elvis Roshit, Mark Frrokut, Arben Ndokës dhe të tjerëve si ata.

Është modeli që mbron krimin të lidhur me qeverinë, siç është rasti i Saimir Tahirit dhe Agron e Fatmir Xhafës.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak është parashikuar për të hënën, prandaj ne i bëjmë sot thirrje Edi Ramës të tërhiqet nga ky vendim skandaloz që vret për herë të dytë Liderin e Lëvizjes së Dhjetorit Azem Hajdari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *