“Air Albania”/ Investigimi! Rama i dhuron “turkut” kompaninë ajrore

Departamenti i antikorrupsionit në Partinë Demokratike, ka denoncuar një tjtër  skandal të qeverisë shqiptare.

Në denoncim thuhet se Rama ka vendosur në mënyrë korruptive dhe klienteliste që liçencën e ‘Air Albania’ t’ia japë mikut të tij Sinan Idrizi, i cili ka hequr dorë nga nënshtetësia shqiptare në vitin 1991, duke marrë atë turke.

Ja denoncimi i Departamentit të antikorrupsionit:

KLIENTËVE TË QEVERISË TASHMË DHURIMI I FONDEVE PUBLIKE I VJEN NGA LIGJE APO VENDIME TË DEDIKUARA

Krijimi i shoqërisë “Air Albania” me ortak “Albcontrol” sha, “Turkish Airline” dhe shoqërinë e krijuar 9 ditë (07.05.2018) përpara miratimit të VKM-se nr. 309, date 16.05.2018 “Për përcaktimin e procedurave të krijimit të shoqërisë “Air Albania”, shoqëria “MDN Investment” shpk, është finalizimi i një afere, që fillimet e saj i ka më të hershme, dhe që datojnë me udhëtimet dhe takimet e përbashkëta në Turqi të pronarit të vetëm të kësaj shoqërie, z. Sinan Idrizi, me kryeministrin Rama. Prania e z. Idrizi në takime zyrtare, edhe të nivelit të lartë është raportuar nga media të ndryshme, në kohën kur këto takime janë zhvilluar.

Krijimi i shoqërisë ajrore “Air Albania” ngre shumë pikëpyetje dhe paraqet jo pak parregullsi, që lidhen me ortakët shqiptarë: shoqëria “MDN Investment” shpk, me pronar të vetëm z. Sinan Idrizi dhe shoqëria “Alcontrol” sha.

Siç po bëhet praktikë tashmë, kujtojmë koncesionin e Aeroportit të Vlorës, i cili u miratua me ligj të veçantë, projektligjin aktual lidhur me projektimin, ndërtimin dhe menaxhimin e Teatrit Kombëtar, ku aktet mbajnë emrat e klientëve të kryeministrit, edhe në këtë rast, mungon një argumentim minimal ligjor se për cilën meritë të veçantë, kapacitet ekonomik-teknik-profesional, knoë-hoë, Rama përzgjodhi si ortake pjesëmarrëse në shoqërinë “Air Albania”, shoqërinë “MDN Investment” shpk dhe me cilën procedurë që parashikon ligji e përzgjodhi.

E thënë ndryshe: do te ishte normale që shoqëria “Air Albania” te krijohej me kapital të përbashëkt të shtetit shqiptar dhe shoqërisë ajrore turke “Turkish Airline”. Prania e shoqërisë 9-ditore të bashkudhëtarit të Ramës në shoqërinë ajore, si fanti spathi, nuk gjen asnjë justifikim të natyrës ligjore. Të paktën VKM nr.309/2018 që i jep jetë shoqërisë ajore “Air Albania”, nuk jep asnjë syresh.

Në kushtet kur i vetmi fakt që dimë është se z. Idrizi më tepër se një herë ka shoqëruar kryeministrin në takimet e tij në Turqi dhe së akti që krijon shoqërinë nuk jep asnjë arsye për sa më sipër, na e lind e drejta ta lidhim pjesëmarrjen e shoqërisë “MDN Investment” shpk në shoqërinë e re ajore ose (i) me kthimin e qokës që kryeministri i bëri sekserit të tij, ose (ii) me përdorimin e kësaj shoqërie për të fshehur përfshirjen personale të kryeministrit në këtë shoqëri, për qëllim të portofolit personal, ose (iii) të dyja versionet të kombinuara bashkë.

Theksojmë se sipas objektit të veprimtarisë së kësaj shoqërie, të krijuar disa ditë më parë, parashikohet kjo shoqëri do të veprojë në (cit): “projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimin si dhe menaxhimin e Aeroportit Ndërkombëtar, i cili përfshin ndër të tjera: marrjen në pronësi nga shoqëria të terminalit të ri, zyrave të reja të administrimit, Qendrës së re të ngarkesës ajrore, pajisjeve të reja të karburantit, rrugës së re të hyrjes së Urës së Re (‘Mjediset e reja”) dhe zotërimi dhe ushtrimin e uzufruktit nga shoqëria në lidhje me zonën e koncesionit, ofrimin e shërbimeve të transportit të udhëtarëve brenda dhe jashtë vendit. Transport rrugor ndërkombëtar udhëtarësh me autobus. Agjenci transporti ndërkombëtar udhëtarësh. Agjenci turistike, etj., etj.”, duke përfshirë deri edhe shërbimet funerale. Pra, e qartë, shoqërisë 9-ditore të z. Sinan Idrizi i dhurohet mundësia të ushtrojë këtë listë të gjatë veprimtarish tregtare në kontekstin e aeroportit ndërkombëtar, deri marrjen në pronësi të terminalit, zyrave, etj. Ritheksojmë se kjo shoqëri nuk ka asnjë ditë përvojë në fushën e transportit ajor dhe nuk disponon asnjë kapacitet që do t’i nevojitej shoqërisë “Air Albania”.

Bujaria e qeverisë dhe përzgjedhja në kushtet e shkeljes së parimit të konkurrencës së drejtë, nuk mund të gjejë shpjegim veçsë në territoret e aferave të errëta mafioze të kryeministrit Rama.

Nga ana tjetër, edhe vendimi për të bërë “Albcontrol” sha ortake të kësaj shoqërie paraqet problematika, që burojnë nga vetë statusi i këtij subjekti.

Së pari, bazuar në objektin e veprimtarisë së kësaj shoqërie, kjo e fundit nuk mund të jetë pjesëmarrëse në shoqërie të tjera, përveçse atyre që kanë objekt të të njëjtës natyrë me “Albcontrol” sha, pra sigurinë, efiçencën, rregullueshmërinë e lundrimit ajror (neni 3 i statutit të shoqërisë). Thënë ndryshe, kjo shoqëri me kapital shtetëror, nuk mund të përdorë fondet be shtetit përvçse për veprimtari që hyjnë në objektin e veprimtarissë saj. Në rastin konkret “Albcontrol” sha, po bëhet pjesëmarrëse në një shoqëri që ka tjetër natyrë veprimtarie: “Air Albania” do të jetë vetë një operator i transportit ajor.

Së dyti, kjo përbën konflik te hapur interesi në raport me operatorët e tjerë, të transportit ajor, të cilët i paguajnë tarifë Albcontrol-it, pikërisht për shërbimin për të cilin është krijuar: siguria dhe rregullueshmëria e trafikut ajor. Këto operatorë, sipas vendimit të kryeministrit, do ta gjëjnë përballë si konkurrente shoqërinë që ata paguajën për sigurinë e trafikut ajror.

Gjithashtu, VKM nr 309/2018, në pikën 3 të saj përcakton se “Albcontrol” sha do të përfaqësojë pronarin shtet në negociata dhe lidhjen e marrëveshjes. Kjo bie në kundërshtim me VKM nr. 503/2017, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësiss shtetërore të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë”, kreu III, pika 17, ku përcaktohet se janë Ministria e Financave dhe e Ekonomisë përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore e, rrjedhimisht, nuk mund t’i delegohet subjektit “Albcontrol” sha, për statusin që ky ka, kompetenca e kryerjes së negociatave dhe lidhjes së marrëveshjes me palët private. Është e kuptueshme që pazari është mbyllur tjetërkund dhe kohë më të hershme, por vihet re për të n-tën herë nëpërkëmbja me arrogancë që Rama i bën ligjeve të shtetit që qeveris.

Ligji i veçante/jashtëzakonshëm për koncesionin e Aeroportit të Vlorës ishte precedenti i rrezikshëm, në kapërcim të kushtetutës, ligjeve organike të fushës, që i hapi rrugë këtyre akteve pasuese dhe që janë instrumentale në funksion të realizimit me sukses të mega-aferës së Aeroportit të Vlorës dhe plotësimit me aksesorë, siç është shoqëria ajrore “Air Albania”.

Lealba PELINKU

Drejtues, Departamenti i antikorrupsionit, aksesit në shërbime dhe transparencës në qeverisje

Partia Demokratike e Shqipërisë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *