Vetingu/ Përse u tolerua Bashkim Dedja

Nga Boldnews.al

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, kundër të gjithë pritshmërive që ishin krijuar nga vetë treshja gjykuese e zyrtarit më të lartë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar në 8 qershor, Komisioni i Vetingut renditi disa pika të “errëta” në pasurinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Në bazë të hetimit të thelluar, Komisioni i Vetingut krijoi dyshime mbi burimin e krijimit të një apartamenti në Tiranë, si edhe një shtëpie në Durrës. Apartamenti në Golem rezulton si i blerë nga vëllai i kryegjyqtarit, por faturat e energjisë elektrike dhe ujësjellësit janë në emër të Bashkim Dedjas.

Në bazë të këtyre gjetjeve, pritshmëria publike ishte në shkarkimin e mundshëm të Bashkim Dedjas, kjo referuar edhe rasteve të ngjashme të mëparshme, tek gjyqtarë e prokurorë që tashmë janë jashtë sistemit të drejtësisë.

Por, mëngjesin e së Mërkurës, Komisioni i Vetingut vendosi rikonfirmimin në detyrë të Bashkim Dedjas, duke shkaktuar habi tek ndjekësit e rregullt të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve.

Bashkim Dedja, gjyqtar që prej vitit 1993, është zgjedhur fillimisht kryetar i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010 dhe u rikonfirmua në këtë detyrë në vitin 2017. Ai ka qenë një prej mbështetësve publik më të mëdhenj të çdo drafti të Reformës në Drejtësi, edhe në ato rastet kur propozimet u rrëzuan nga Komisioni i Venecias si akte që cënonin rëndë të drejtat dhe liritë themelore të shtetit dhe individëve.

Bashkim Dedja, falë pozicionit të tij si Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, ka ruajtur dhe forcuar raportet me ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili është shfaqur si promotori i realizimit të Reformës në Drejtësi.

Gjithashtu, nën drejtimin e Dedjas, Gjykata Kushtetuese, në një rast edhe me shumicë mininale votash, ka rrëzuar ankimet e opozitës dhe grupeve të interesit, për ligje të Reformës në Drejtësi, të cilët ishin miratuar vetëm nga maxhoranca.

Pas këtij angazhimi, Bashkim Dedja u rikonfirmua në detyrë, pavarësisht problematikave të konstatuara në deklarimin e tij të pasurisë. Rasti i regjistrimit të kontratave të energjisë elektrike dhe ujësjellësit në emër të Bashkim Dedjas për apartamentin në Durrës, mund të konsiderohet më flagranti i zbuluar deri më tani nga Komisioni i Vetingut.

Një rast i tillë konsiderohet në teori si tipike për fshehjen e pasurisë nga ana e zyrtarëve publikë. Pra, një aset, i krijuar me burime të dyshimta financiare, regjistrohet në emër të një personi tjetër, kryesisht familjari, me qëllim fshehjen e pronarit të vërtetë.

Por, pavarësisht këtij zbulimi, Komisioni i Vetingut sërish vendosi të rikonfirmojë në detyrë Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, një institucion i cili tashmë është inekzistent, pikërisht për faktin se anëtarë të tjerë të tij, me shkelje më të vogla, nuk përfituan nga “toleranca” e Komisionit të Vetingut.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here