Trump: Pheniani nuk përbën më një kërcënim bërthamor

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se “Koreja e Veriut nuk përbën më një kërcënim bërthamor”, ndërsa u kthye në Uashington pas takimit të nivelit të lartë në Singapor me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un.

Të gjithë tani mund të ndihen shumë më të sigurt se ditën kur unë mora detyrën“, shkruante në një postim në twitter zoti Trump. “Takimi me Kim Jong Un-in ishte një përvojë interesante dhe shumë pozitive. Koreja e Veriut ka një potencial të madh për të ardhmen!”, shkruante ai.

Zoti Trump shkruante gjithashtu se “kursyem shumë duke mos bërë lojëra lufte, për sa kohë që po negociojmë në mirëbesim, gjë që dy palët po e bëjnë“.

Gjatë takimit të martën udhëheqësi i Phenianit ra dakord “për çarmatimin bërthamor të gadishullit Korean”, ndërsa presidenti Trump njoftoi papritur pezullimin e stërvitjeve ushtarake me Korenë e Jugut.

Dokumenti i nënshkruar nga dy udhëheqësit nuk përfshin detaje se si dhe kur Koreja e Veriut do të nisë procesin e çarmatosjes bërthamore, as nuk qartëson se çfarë “garancish sigurie” do t’i japin Shtetet e Bashkuara, Koresë së Veriut.

Kritikët vunë në dukje mungesën e detajeve në marrëveshje duke vënë në pikëpyetje nëse zoti Trump ofroi shumë duke marrë shumë pak si shkëmbim gjatë bisedimeve me udhëheqësin e Phenianit.

Presidenti Trump e ka mbrojtur marrëveshjen si një hap të madh në trajtimin e kërcënimit që vjen nga një Kore e armatosur me armë bërthamore. Ai tha se besonte se qeveria e Kim Jong Un-it do të niste menjëherë procesin e realizimit së marrëveshjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *