PD paralajmëron: Do përdorim çdo formë për ta ndaluar tarifën në Rrugën e Kombit

Ndërsa Kryeministri Edi Rama pritet të bëjë të ditur në vijim tarifën e re të lëvizjes në Rrugën e Kombit për banorët e Kukësit, Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të përdorë të gjitha mjetet dhe format për ta ndaluar.

Deputeti Demokrat, Enkelejd Alibeaj tha se kreu i qeverisë si fillim duhet të pranojë fajësinë për kuksanët që ende ndodhen në burg pas protestës kundër tarifës, e cila sipas tij do të vijojë të kundërshtohet qoftë e reduktuar edhe për të gjithë shqiptarët.

“Asnjë lloj veprimi, asnjë lloj akti nuk do të bëhet dhe nuk duhet bërë për sa kohë që disa njerëz për të drejtën e tyre janë sot në burg. Ky do të jetë qëndrimi i opozitës me të gjitha mjetet, me të gjitha mënyrat  në mnëyrë që Edi Rama të mos jetë më njeriu që mund të vendosë tarifa apo të reduktojë tarifa për Kuksianët apo për gjithë shqiptarët.  Një orë e më parë duhet të largohet.”

Partia Demokratike ka mbështetur protestat dhe kundërshtimin e tarifës së lëvizjes në Rrugën e Kombit, por deputeti Ervin Salianji, thekson se PD do të jetë tashmë edhe më aktive në rast të rivendosjes së tarifës edhe të reduktuar.

Kemi qenë pranë tyre por këtë radhë do të jemi edhe më aktivë e mbështetës në çdolloj proteste apo reagimi për të mos lejuar një tarifë e cila rëndon qytetarët e qarkut të Kukësit e Kosovës duke i bërë një dëm ekonomik pothuajse gjithë Shqipërisë.”

Banorët e qarkut të Kukësit nga ana tjetër e kanë bërë të qartë që nuk do të pranojnë asnjë tarifë për lëvizjen në Rrugën e Kombit. Ndërkohë kompania koncensionare vijon rehabilitimin e pikave të pagesës të djeguara thuajse plotësisht gjatë protestës së 31 Marsit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *