Joachim Low komenton shkarkimin e Lopeteguit: Do ketë pasoja te Spanja

Trajneri i Gjermanisë, Joachim Low, është befasuar nga kaosi që ka përfshirë rivalët e Kupës së Botës, Spanjën, pas shkarkimit të trajnerit Julen Lopetegui vetëm një ditë përpara se të fillojë turneu.

Ditën e martë është konfirmuar se Lopetegui do të ishte trajneri i ri i Real Madridit, dhe vetëm një ditë më pas ka ardhur shkarkimi i tij nga Spanja.

Vendin e tij e ka zënë një ish-madrilen, Fernando Hierro, dhe tani është prononcuar edhe trajneri i përfaqësueses gjermane Joachim Low duke u shprehur se ndihet tepër i befasuar.

“Ishte një surprizë e madhe pasi doli nga hiçi,” shprehet ai për mediat, në prag të ndeshjes së parë të kampionëve në fuqi ndaj Meksikës në Grupin F të dielën.

“Nuk e di se çfarë ndodh prapa skenave të Federatës Spanjolle. Por është diçka e pazakontë. Patjetër që do të ketë pasoja për ekipin spanjoll. Nuk mund ta vlerësoj Hierro-n si trajner pasi nuk ka pasur shumë eksperienca. Gjithsesi, Spanja ka qenë së bashku për shumë vite. Lojtarët kanë një filozofi të qartë.

Ata e njohin mirë njëri-tjetrin pasi kanë luajtur bashkë për shumë vite, kështu që si me Lopetegui apo pa Lopetegui, Spanja nuk do ta humbasë kualitetin”, tha Low.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here