Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ka sulmuar sot kryeparlamentarin Gramoz Ruçi për veprimet e tij në drejtimin e Parlamenti.
Vasili ka sjellë fakte se si Ruçi e dhunon opozitën jo vetëm gjatë seancës duke i ndërprerë fjalën, por edhe duke i hequr kompetencat në komisione.
Ja çfarë shkruan Petrit Vasili në Facebook:
Ruçi ligjëron shkatërrimin e parlamentit dhe veten si dispeçer minutash e qehaja dënimesh të deputetëve.
Drejtimi i parlamentit ka degraduar si kurrë më parë. Kryetari i tij me dashje të plotë ka ligjëruar dhunimin flagrant të rregullores ndërkohë, që çdo të enjten po ky kryetar lufton heroikisht për sekondat e opozitës kur ajo flet dhe për përjashtimin e saj edhe fizik në emër të kësaj rregulloreje.
Te vijmë te faktet.
- Pak ditë më parë është depozituar ligji për ndryshime në ligjin “Për masa ndaj dhunës në marrëdheniet familjare”. Ky është totalisht objekt i punës së komisionit të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Vetë ky ligj është shqyrtuar edhe në 2006 nga ky komision si përgjegjës. Aktualisht kjo përgjegjësi i hiqet komisionit të Shëndetësisë dhe i kalon komisionit te ligjeve sepse ky komision kamikaz tashme shqyrton çdo gjë. Bëhet akoma më qesharak kryetari i Kuvendit kur bën sikur harron, që edhe nënkomisioni parlamentar për dhunën në familje dhe barazinë gjinore është pranë komisionit të Çështjeve sociale.
- Persa i takon ligjit të strehimit social ku seanca plenare vendosi të shqyrtoheshin në komisionin e Çështjeve Sociale amendamentet e opozitës, sërish ky vendim detyrues i seancës u refuzua nga maxhoranca duke dhunuar haptas rregulloren dhe kryetari nuk lëvizi as gishtin.
- Po e njëjta gjë ndodhi me mbledhjen e paligjshme vetëm me anëtarë të maxhorancës për miratimin e ligjit të Strehimit Social.
Për të gjitha këto ky kryetar është njoftuar me shkrim, që rregullorja po dhunohej në sytë e tij.
Pse ndodh e gjithë kjo?
Arsyeja e vetme është se komisioni i Çështjeve Sociale drejtohet nga opozita dhe kryetari i parlamentit ka zgjedhur anashkalimin dhe kalimin e çështjeve tek komisioni famëkeq i ligjeve si një komision, që piraton në jetën parlamentare projektligje gjithfarësh në emër të Rilindjes duke shkatërruar parlamentin.
Kryetari Ruçi po merr përsipër të zhbëjë pozicionin e tij vetëm e vetëm që të kënaqë sa më shumë kryeministrin e tij, që ka synim të kthejë parlamentin në një drejtori të kryeministrisë dhe Ruçin në drejtor të tij.
Deri tani Kryeministri ja ka dalë.
Ai e ka shndërruar kryetarin Ruçi thjesht në një dispeçer minutash dhe një qehaja dënimesh të deputetëve.