Përgjatë tre muajve të fundit të vitit të kaluar 38 deputet të Kuvendit të Kosovës kanë shpenzuar 40 mijë euro për udhëtime zyrtare. Sipas një raporti nga Instituti Demokratik i Kosovës, nga tetori deri në dhjetorë këta deputet kanë realizuar 50 udhëtime jashtë vendit.
“Pjesa më e madhe e buxhetit prej 39,447 € janë shpenzuar për bileta të udhëtimit dhe mëditje, 14,834 € respektivisht 13,777 €. Ndërkaq 9,174 € janë shpenzuar për akomodim në vendet që janë vizituar nga deputetët dhe 1,662 € për shpenzime të tjera për të cilat nuk të dhëna specifike se për çka janë shpenzuar”, thuhet në raportin e KDI-së.
Të dhënat kanë dal nga raporti financiarë që është miratuar në muajin maj. Mirëpo në këtë raport financiar nuk janë dhënë detaje lidhur me kohëzgjatjen e këtyre udhëtimeve pasi që nuk ka data që tregojnë se sa kanë qëndruar deputetët në një udhëtim të caktuar.
“Kuvendi i Kosovës gjegjësisht Komisioni për Buxhet dhe Financa ende nuk ka shqyrtuar raportin financiar të këtij institucioni për tre mujorin e parë të vitit 2018”, thuhet në njoftimin nga KDI.