Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev nuk ndalet së paralajmëruari afate për bisedën telefonike me homologun e tij grek, Aleksis Cipras për çështjen e emrit. Pasi dështoi biseda e paralajmëruar nga Zaev për të mërkurën, të enjten ose të premten e javës së kaluar, këtë herë pa precizuar saktë, Zaev thotë se është çështje ditësh kur biseda telefonike do t’i jep fund kontestit shumëvjeçar. Megjithatë jozyrtarisht, përflitet se SHBA-të i kanë kërkuar Zaevit që deri më 9 qershor të japë pëlqim për tekstin e marrëveshjes.
Zaev as nuk i konfirmoi e as nuk i demantoi informatat rreth propozimeve në tavolinën e negociatave. Ndërkohë Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias tha se është koha për fjalët përfundimtare, duke theksuar se negociatorët duhet të kenë durim dhe vetëpërmbajtje e të mos ndikohen nga mediat dhe opozita për lojëra të brendshme politike.
“Është koha të thuhet “Po”-ja ose “Jo”-ja e madhe dhe pastaj i kuptoni vështirësitë. Kam përshtypjen se tani që duhet të përfundojmë me këtë punë, lidershipi në Shkup i ka kuptuar vështirësitë e mëdha që ekzistojnë për implementimin e saj dhe ka luajtur një rol duke dashur të reflektojë dhe diskutojë në sqarimet e marrëveshjes. Jam i bindur se vështirësitë së shpejti do të tejkalohen”– deklaroi ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Kocias.
Kocias tha se në lojë janë propozimet me përcaktuesit: “Veriore”, “E Epërme” dhe “E Re”. Sipas tij, nëse arrihet marrëveshje, javët e ardhshme ajo do të jetë në Kuvendin e Shkupit, ndërsa në vjeshtë do të ketë referendum, pas çka edhe ndryshime kushtetuese. Kocias kërkoi nga Kisha Greke të qëndrojë larg kësaj çështjeje politiko-diplomatike. Ai theksoi se Qeveria aktuale ka hartuar draft-marrëshje njëzet faqëshe, përderisa draftet e qeverive paraprake nuk i kalonin as dy faqe. Krye diplomati grek, tha se nuk mbajnë kritikat e Demokracisë së Re opozitare, për shkak se kur kjo parti ishte në pushtet kishte pranuar propozimin Maqedonia-Shkupi. Ndërsa gjuha maqedonase është regjistruar shumë më përpara se të lindte kontesti. Kjo nxiti reagim të menjëhershëm.
“Në Bukuresht, Qeveria greke e Karamanlisit; Ministrja e Jashtme, Bakojani dhe ai i Mbrojtjes, Meimarakis nuk kishin pranuar një kompromis të keq. Kocias ka bërë diçka shumë të keqe dje. Ai ka adoptuar pikëpamjen e Shkupit për gjuhën maqedonase në vend të pozitës greke, e cila asnjëherë nuk e ka pranuar”– tha Jorgos Kumucakos, Demokracia e Re.
Nga partneri i koalicionit qeveritar, Grekët e Pavarur kundërshtojnë zgjidhje me termin “Maqedoni”, duke theksuar se sot Shkupi është shtet i vogël por se të ardhmes nuk i dihet.
“Qartë themi se nuk do të pranojmë asnjë emër me mbiemër të Maqedonisë. Ky nuk është opsesion me emrin, por rezultat i bindjes sonë të thellë për cilindo irredentizëm nga ana e Shkupit, që sot mund të jetë shtet i vogël, por nesër askush nuk e di se në korniza të kujt dhe në cilin vend do të ndodhet ose çfarë shtetësie do të fitojë ose kush mund ta shfrytëzojë këtë, sepse në vitin 1944 ose në vitet e 50-ta a 60-ta askush nuk priste këso zgjidhje të çështjes”– tha Nikos Mavraganis, Grekët e Pavarur.
Të mërkurën në dhjetëra qytete në Greqi do të protestohet kundër përdorimit të termit “Maqedoni” në emrin e ardhshëm eventual të vendit. Në protestat e ngjashme në shkurt të këtij viti morën pjesë mbi 100 000 grekë, njofton Alsat M.