“Lajthit” Ronaldo, kjo është paga që i kërkon Realit për të qëndruar në Madrid

Cristiano Ronaldo ka vënë në alarm Real Madrid që pas finales së “Champions League”, pasi portugezi foli në kohën e shkuar duke deklaruar se “ishte bukur të luaje për galaktikët”. Raportime të ndryshme kanë shkruar se ky është një presion i 5 herë fituesit të “Topit të Artë” për t’i rritur rrogën, pasi me 42 mln eurot e tanishme nuk është i kënaqur.

Sipas “Cadena Cope”, Ronaldo së fundmi ia ka bërë të qartë Real Madridit pagën që kërkon në mënyrë që të mos largohet. 33-vjeçari synon të jetë së paku i barabartë me yjet e tjerë të mëdhenj të futbollit botëror në të ardhurat që merr dhe për këtë arsye ka kërkuar 75 milionë euro nga presidenti Florentino Perez, shkruan Balkanweb.

Një shifër stratosferike e cila vështirë të plotësohet, por Ronaldo aktualisht është i mërzitur pasi është larg nga ajo që marrin lojtarë të tjerë, si Neymar, i cili është problemi më i madh i portugezit në këto momente. Cristiano Ronaldo është ende në pritje të zgjidhjes gjyqësore të konfliktit të tij me Thesarin Spanjoll për mashtrime tatimore.

Ai kërkon që klubi ta ndihmojë të paguajë gjobën e majme e të pritshme në këtë rast. Nga ana tjetër, të gjithë te Real Madridi janë në pritje të fjalëve të Ronaldos nga grumbullimi i Portugalisë, pas reagimit të diskutueshëm, direkt mbas përfundimit të finales së Champions-it, sezoni 2017-2018. Propozimi i fundit i yllit portugez për klubin madrilen ka qenë marrja e 75 milionë eurove, plus një zgjatje e kontratës deri në sezonin 2023-2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *