Shtohet numri, hetim në gjendje të lirë për 31 protestues

31 protestues të opozitës të cilët morën pjesë në tubimin e së shtunës do të hetohen në gjendje për akuzat e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, shkatërrim të pronës dhe kundërshtim të forcave të rendit.

Pasi analizoi pamjet filmike policia  identifikoi personat që tentuan të çajnë kordonët e vendosura para kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme si dhe ata që qëlluan me gurë ndaj efektivëve që ishin në detyrë. Policia  e Tiranës ka referuar në prokurori materiale edhe për personat që hodhën tymuese në drejtim të institucioneve,  por nuk  ka nisur asnjë një procedim për deputete të cilët ishin në krye të protestës apo organizatoret e saj. Megjithatë sqarohet se materialet filmike janë ende duke u këqyrur dhe nëse do verifikohet se dikush tjetër ka dhunuar policinë apo ka shkelur ligjin do të ndiqet penalisht.

Në protestën e opozitës mbeten të plagosur 11 efektivë policie dhe kryeredaktori i gazetës Rilindja Demokratike, Bledi Kasmi, i cili akuzoi forcat e rendit se e goditën me shkopinj gome gjatë kohës që po përpiqej të fotografonte protestën. Policia në reagimin e saj tha se e ushtroi detyrën në përputhje me ligjin,  ndërsa ministri i Brendshëm përgëzoi forcat e rendit duke thënë se profesionalizmi dhe qetësia e treguar në protestë ishte shenjë e respektit ndaj ligjit dhe qytetarëve.

Përplasja u zhvillua pranë ministrisë së Brendshme ku protestuesit tentuan të çajnë rrethimin e policisë për tu futur në institucion. Por situata u qetësua pas mbërritjes së kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *