“Çifti diplomatik” Lu-Vlahutin largohet me turp nga Shqipëria

Nga Boldnews.al

Brenda pak ditësh, dy ambasadorët më të rëndësishëm në Shqipëri do të largohen nga zyrat e tyre në Tiranë.

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar zyrtarisht se ambasadori amerikan Donald Lu, do të largohet së shpejti nga Shqipëria, për të marrë të njëjtën detyrë në Kirgistan.

Gjithashtu, burime mediatike njoftojnë se edhe ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin do të zëvendësohet së shpejti nga italiani Luigi Soreca.

Pra, diplomatët, të konsideruar si “nëna dhe babai” i Reformës në Drejtësi, po largohen nga Shqipëria, në një kohë që për shkak të ndërhyrjes së tyre brutale, sistemi gjyqësor në vendin tonë është në ditën e tij më të errët.

Dë dy diplomatët, që në krye të karrierës së tyre erdhën me aureolën e përfaqësuesit të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u përfshinë në lojërat politike tipike ballkanike, me hakmarrje, qëndrime të njëanshme e lobingje.

Donald Lu dhe Romana Vlahutin e kishin për herë të parë rolin e ambasadorit. Diplomati amerikan kishte arritur deri në nivel zv.ambasadori para se të mbërrinte në Tiranë. Ndërsa Vlahutin kishte mbajtur pozicione politike në administratën shtetërore kroate. Ndaj, për shkak të një karriere jo shumë të spikatur, ata të dy morën rolin e “reformatorit”, duke bërë gjithçka të ishte e mundur që Reforma në Drejtësi në Shqipëri të realizohej gjatë mandatit të tyre. Në këtë mënyrë, ata do të merrnin edhe frytet e saj, diplomatike, por jo vetëm.

Në fakt, çifti ambasadorial nuk ia arriti që të detyronte politikanët shqiptarë që të miratonin ndryshimet kushtetuese, të cilat i hapnin rrugën e Reformës në Drejtësi. Lu-Vlahutin u përfshinë në një debat të paprecedent me opozitën shqiptare, e cila konstatoi shumë problematika në variantin e propozuar nga njerëz që kishin mbështetjen e pakursyer të ambasadorëve.

Vetëm falë këmbënguljes së opozitës dhe, sidomos pas ndërhyrjes së shefave të Lu e Vlahutin në Bruksel e Ëashington, politika shqiptare gjeti konsensusin për miratimin e amendimeve të Kushtetutës. Këto ndryshime janë të vetmet të gjithëpranuara politikisht, të vetmet që nuk u miratuan sipas variantit Lu-Vlahutin dhe të vetmet që nuk prekin thelbin e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Gjithçka tjetër që pasoi ndryshimet Kushtetuese, pra të gjithë ligjet që bëjnë efektive Reformën në Drejtësi, u miratuan sipas variantit Lu-Vlahutin, me kontestimin e fuqishëm të opozitës dhe me një rezultat, deri më tani, katastrofal për shtetin shqiptar.

Pra, “bijëza” e çiftit Lu-Vlahutin, Reforma në Drejtësi, rezultoi një dështim spektakolar, kjo edhe për faktin se u ngjiz me vullnetin e dy njerëzve tërësisht pa përvojë, por me dëshirën e madhe për të treguar se mund të bënin diçka, pavarësisht kostove të rënda.

Nga ana tjetër, kryesisht ambasadori Lu, por gjithnjë me miratimin kokë-tundës të diplomates Vlahutin, mori rolin e një “predikuesi”, kur kërkonte llogari nga politika shqiptare, por sidomos nga drejtësia, për dështimin në arrestimin e atyre që konsiderohen si “peshqit e mëdhenj” të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në fakt, disa emra të përmendur nga Donald Lu, ishin vërtetë të paprekshëm, sidomos në radhët e krimit të organizuar, ose më saktë, në radhët e kriminelëve sub-urbanë shqiptarë. Çifti ambasadorial, gjithashtu ka një meritë që mbështeti kauzën opozitare për miratimin e ligjit të “Dekriminalizimit”, i cili largoi nga Parlamenti dhe jeta publike disa personazhe, në shumicë absolute nga maxhoranca.

Por ata, duke u konsideruar në Shqipëri si “zëri i së vërtetës”, dështuan në mënyrë spektakolare kur nuk folën asnjëherë për kanabizimin e vendit. Me të drejtë, ky nuk është roli i ambasadorëve. Por, duke pasur parasysh se Donald Lu u përfshi deri në çështjen e “të mbathurave të Shukriut (Xhelilit)”, opinioni me të drejtë priste nga diplomatët e rëndësishëm që të përmendnin faktit që Shqipëria ishte kthyer në një parcelë gjigande hashashi.

Nuk e përmendën, ambasadorët Lu e Vlahutin, as edhe faktin që Saimir Tahiri, një ministër i Brendshëm, i konsideruar si më i suksesshmi i qeverisë së Edi Ramës, dyshohet si i përfshirë në trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Madje, jo vetëm kaq, por diplomati Lu u angazhua personalisht dhe ia arriti që, pikërisht këtë zyrtar, Tahirin, ta dërgonte deri në zyrën e Presidentit Barak Obama.

Dhe, në të njëjtën linjë, Lu-Vlahutin nuk folën as për dyshimet mbi përfshirjen e ministrit aktual të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në veprime anti-ligjore për të mbrojtur vëllain e tij, trafikant droge.

Nga dy njerëz, të cilët deklaronin shpesh se po punonin për një të ardhme më të mirë për shqiptarët, gjë që në fakt ishte e pabesueshme, Lu-Vlahutin u shndërruan në dy politikanë tipik ballkanas, që iu bashkuan pushtetit për të sulmuar dhe delegjitimuar aksionet opozitare. Si edhe për t’u hakmarrë edhe ndaj kujtdo që nuk pranoi t’u bindej “urdhërave të tyre”, ndër të cilët edhe për arrestime të politikanëve kryesorë të opozitës, pa prova e fakte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *