Nga Boldnews.al
Prokuroria e Durrësit ka rënë pre e grabitjes për të dytën herë brenda 10 ditëve, duke krijuar dyshime të forta se është diçka e organizuar më së miri.
Mëngjesin e së enjtes është konstatuar se është vjedhur zyra e prokurorit Afrim Shehu, pjesë e Task-Forcës “Forca e Ligjit”. Gjatë vjedhjes, të ndodhur gjatë natës, prokurorit Shehu i janë marrë të gjithë dosjet hetimore, kompjuteri dhe materialet në kasafortën e tij. Gjithashtu, e njëjta bastisje ka ndodhur edhe në zyrën e një oficeri të Policisë Gjyqësore, i cili punonte për prokurorin Afrim Shehu.
Qartësisht, objekt i vjedhjes ka qenë vetëm zyra e prokurorit Shehu, pasi, sipas burimeve të “Boldnews.al”, nuk është prekur asnjë zyrë tjetër.
Prokurori Afrim Shehu ka qenë prej vitesh pjesë e Task-Forces Antikorrupsion në Prokurorinë e Durrësit. Pak muaj më parë ai u lëviz nga ky seksion, për shkak të vonesës së gjatë në kryerjen e veprimeve për dosjet kundër korrupsionit dhe sidomos për skandalin e tjetërsimit të tokave në bregdetin e Ishmit.
Prokurori Shehu u rikthye në Task-Forcen Antikorrupsion me firmën e ish-drejtueses së Prokurorisë së Durrësit, Donika Prela. Më tej, ai u caktua te njësia e re, “Forca e Ligjit”, duke iu rikthyer sërish dosja hetimore e tokave në Ishëm.
Burime nga Policia e qytetit bregdetar thanë për “Boldnews.al” se, pikërisht kjo dosje duket se ka qenë objekt i vjedhjes gjatë natës në zyrën e prokurorit Shehu. Ka një pikëpyetje shumë të madhe, sipas uniformave blu në këtë vjedhje, pasi rezulton që grabitësit nuk kanë thyer derën e jashtme të ndërtesës.
Gjithashtu, për policinë, janë krijuar dyshime se vjedhja është “e organizuar” pasi, edhe në vjedhjen e postës sekrete të prokurorisë së Durrësit, pak ditë më parë, gjendeshin, ndër të tjera, edhe materiale që do t’i dorëzoheshin prokurorit Afrim Shehu.
Ky i fundit pritet të japë shpjegime para oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe kolegëve të tij për materialet që ka pasur në zyrë dhe që tashmë gjenden në duart e grabitësve. Gjithësesi, kjo ngjarje dëshmon sërish se në Prokurorinë e Durrësit ka probleme shumë serioze jo thjesht me sigurinë e brendshme, por sidomos me dekonspirimin e informacionit.