Alfred Lela
Ndër reaguesit e shumtë pasi gazetari Jetmir Olldashi doli në konferencë shtypi për të kallzuar se është ai pas skandalit të fundit ku përfshihet i vëllai i ministrit të Brendshëm Xhafaj, dy kanë qenë më të çuditshmit. Njëri, ish-gazetar i Zërit të Popullit, që tani shkruan për një të përditshme të ekstremit të majtë, të cilën e dallon, ndër të tjera, audienca nostalgjike e diktaturës, dhe një gazetar i ‘brezit të ri’, i cili u kap në një shkëmbim emailesh me një deputet të majtë, duke u përbetuar se, që prej kohë së Partisë së Punës, familja dhe fisi i tij ka qenë me dhe ka votuar për Partinë Socialiste.
Të dy këta merreshin me natyrën e ‘zhanrit të investigimit’ në gazetari dhe flisnin nga pozitat e profesionistëve të fushës. Jetojmë në një botë gjërash të pasigurta, por për dy gjëra mund të flihet mendja: një ish-gazetar i Zërit të Popullit nuk e njeh dhe as e ka praktiktuar ndonjëherë zhanrin e investigimit, dhe një gazetar që kërkon të fusë robt’ e shpis’ në punë shteti duke kaluar nga virtyti i besnikërisë partiake, nuk mund të japë leksione për profesionalizmin.
Të dy këta individë ilustrojnë, në mënyrat e veta, ekstremizmin e shfaqur përgjatë pak ditëve të fundit në raport me gazetarin Jetmir Olldashi. Ai nuk është një prej gazetarëve shumë të njohur në Shqipëri; nuk klasifikohet te një ndër më të paguarit; nuk figuron as në listën e emrave të lakmuar të studiove, e me radhë.
Mund të thuhet madje se, Jetmir Olldashi nuk ka bërë ndonjë gjë të hatashme në kushtet normale të një vendi normal me gazetari normale. Në kësi kushtesh ai thjesht ka bërë punën e tij.
Por, meqë nuk jemi në kushte normale, ai ka bërë në fakt një punë dhe akt të jashtëzakonshëm. Më të guximshëm nga karakteri dhe më dobiprurës për shoqërinë se të gjitha b… dhe barqet e mëdhenj që u marrin frymën koltuqeve të rehatshme të studiove ajër kondicionuara të televizoneve shqiptare.
Shumë prej nesh nuk e kuptojnë, ose nuk duam ta kuptojmë këtë, për faktin e thjeshtë se Jetmiri, jo vetëm ka prishur qetësinë e qeverisë, por edhe rendin e gjërave në gazetarinë tonë. Nëse politikanët e pushtetit i shqetëson e para, të pushtetshmit e medias dhe shërbëtorët e pushtetit në gazetari, i sikletos e dyta. Jetmiri mund të ketë qenë zëdhënës i një institucioni në kohën e qeverisë së PD, por ai nuk ka ushtruar në të njëjtën kohë zanatin e gazetarit. Ne kemi parë dhe shohim njerëz që marrin dy rroga, të zëdhënësit, këshilltarit apo anëtarit të Këshillit Bashkiak, dhe nëpër studio flasin si analistë duke kryer kështu një shkelje flagrante etike.
Syresh ka ardhur edhe zhurma më e madhe kundër investigimit të Jetmir Olldashit. Këta qenë përimtuesit puritanë të asaj çka nuk qenka hetim në atë investigim, dhe çka është shërbim politik në atë gazetari. Pra, u synua pikërisht rrënimi profesional dhe karakterial i një gazetari. Paradoksi është se, bash ata që janë në krye të shkeljeve dhe double standard-it lëshojnë edhe stuhinë e pështymës dhe gurëve.
Në daç në Bibël, në daç në urtinë popullore, e gjen parabolën që i shpjegon.
Kjo është vetëm njëra pjesë e standardit të dyfishtë në media. Vlen të sillet rasti i një tjetër gazetari, gjithashtu i botës së kronikës dhe investigimit, Artan Hoxhës. Kur më 21 janar 2011 ai filmoi pamje të përplasjes së përgjakshme në bulevardin para Kryeministrisë, u brohorit me të madhe për guximin dhe standardin gazetaresk. Politikanët e pushtetit, të djathtë asokohe, nuk e pëlqyen dhe ndoca prej tyre edhe u shprehën kundër, por asnjë gazetar apo komentator politik i së djathtës nuk e sulmoi kolegun për ‘huqe’ profesionale dhe as karakteriale.
Këto janë dy standarde të kundërta sjelljeje dhe, sigurisht, shpjegohen, sipas meje, me katër arsye:
E para është sasiore. Sipas sondazhit të një studiueseje për tezën e doktoraturës, kryer në të gjithë redaksitë e medias shqiptare, mbi 70 përqind e gazetarëve kanë bindje të majta.
Së dyti është pragmatike. Shumica e redaksive në Shqipëri drejtohen nga botues apo drejtues që kanë afilacione politike të majta.
Së treti është cilësore. Një vend i rrahur kaq gjatë në kudhrën e ashpër të komunizmit dhe kolektivizmit nuk mund të prodhojë në 20 vjet një klasë intelektuale dhe mediatike të shkëputur prej 50 viteve të agjitpropit dhe trushpëlarjes.
Së katëri është dominantja antroplogjike. Ka nervozizëm, siklet, habi, frustrim te të majtët kur e djathat vjen në pushtet apo kur ideologjia e djathtë shtyhet përpara nga gazetarë apo intelektualë të së djathtës. Poshtë kësaj fle, i pagjumë si armiku i klasës, impulsi hakmarrës i cili bazohet te njëfarë përçmimi për klasat e shtypura të pas ’44. Kush ka ide të kundërta është legalist, ballist, kulak, reaksionar, kuisling, prift katolik, bashkëpunëtor i fashizmit, e me radhë.
Kjo nuk është një gjendje shqiptare, por këtu shfaqet më trashë. Roger Scruton, filozofi i shkëlqyer i së djathtës britanike, thotë në librin “Si të jesh konservator” se, edhe në vendin e tij, intelaktualët e djathtë janë si zotat e Antikitetit. Nëpër tubime, forume apo biseda askush nuk i dallon, por ata dallojnë njëri-tjetrin. Janë të pakët dhe të heshtur për idenitetin e tyre.
Kjo gjë, heshtja, kërkohet edhe nga e majta shqiptare për të djathtët. Kur ky ‘rend i gjerave’, ‘pakt’ apo urdhër, prishet, lind kjo zhurma e madhe.
Rasti i Jetmir Olldashit është një nga dëshmitë e shumta.