Nënkryetari i PD Edi Paloka në një dalje për mediat u shpreh se Edi Rama gënjeu për ekspertizën e video-audios së përgjimit të Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Rama pak ditë më parë u shpreh se nga verifikimet e bëra me kërëkesë të tij për këtë regjistrim rezulton që ai nuk është autentik.
Por, Paloka thekson që kjo është një gënjeshtër e kryeministrit, ndërsa u bën përseri thirrje qytetarëve që të dalin në protest në 26 maj dhe të rrëzojnë këtë qeveri.
“Rama dhe Xhafaj megjithëse kanë për detyrë të bëjnë transparencë, nuk tregojnë se cila është kjo agjensi, megjithëse nuk ekziston asnjë e tillë që do t’I thonte të zezës së bardhë.
Për të mbajtur në këmbë pushtetin e tij të inkriminuar, Rama është bërë pjesë për të mbyllur hetimet për Agron dhe Fatmir Xhafajn.
Fatmir Xhafaj e di shumë mirë se vëllai i tij drejton trafikun e drogës dhe zëri i shfaqur në video-përgjim është i Agron Xhafajt. Ndaj edhe e larguan me urgjencë nga Shqipëria që të mos përballej me të vërtetën.
Fatmir Xhafaj po qëndron në detyrë për të urdhëruar kukullat e tij në Prokurori, Donika Prela e Arta Marku, të manipulojnë provat”, tha Paloka.
Në vijim, Nënkryetari i PD-së, i ka drejtuar një thirrje shqiptarëve që t’I bashkohen protestës kombëtare të 26 majit, pavarësisht bindjeve të tyre politike.”