Nga Boldnews.al
Kryeministri Edi Rama po e kupton dita-ditës së Shqipëria, nën drejtimin e tij, mund ta humbasë sërish trenin e negociatave me Bashkimin Europian në Qershor 2018. Ai ka ndërmarrë një tur vizitash për të bindur skeptikët europianë që Shqipëria e meriton miratimin e hapit të radhës drejt integrimit në BE. Por, pas çdo takimi, ai kthehet gjithnjë e më shumë duarbosh.
Për të justifikuar dështimin e tij me qeverisjen e vendit në këto 5 vite, ai ka nisur të gjejë fajtorë të jashtëm e të brendshëm, por që gjithnjë nuk kanë lidhje me arritjet e tij imagjinare.
Së fundi, Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetën austriake “Kurier”, në të cilën, ndër të tjera është shprehur: “…Tani (europianët) na thonë që duhet të bëjmë më shumë për të luftuar krimin e korrupsionin. A ka mënyrë më të mirë për të bërë këtë se të ndërtosh një sistem drejtësie plotësisht të ri? Në Shqipëri nuk ka qenë problem që të arrestohen njerëzit, por që të dënohen…”.
Pra, kryeministri shqiptar mundohet të bindë publikun austriak, në këtë rast, që qeveria e tij ka bërë shumë gjëra pozitive. Por, në fakt, deklarata të tilla, duket se është e vështirë të bindin qeveritë e vendeve të ndryshme europiane, të cilët, disa të vërteta i dëgjojnë dhe i marrin nga raporte të pavarura nga kryeministri.
Edi Rama pretendon se ka luftuar krimin e organizuar dhe korrupsion. Por, për fatin e tij të keq, një nga rastet më flagrante të kombinimit të krimit të organizuar me korrupsionin në Shqipëri lidhet me ish-ministrin e tij kampion, Saimir Tahiri. Ky i fundit, aktualisht në “arrest shtëpie” akuzohet nga Prokuroria se, nëpërmjet shpërblimeve, ka siguruar që klani Habilaj të trafikonte tonelata kanabis drejt Italisë.
Kryeministri Rama bëri gjithçka për ta mbrojtur ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri, dhe ia arriti qëllimit që ai të mos arrestohet, falë mbështetjes politike që ai i dha në Parlament. Por nuk është vetëm Tahiri. Së fundmi, edhe ministri aktual i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është denoncuar nga opozita si i përfshirë në korrupsion, pasi ka mbrojtur dhe nuk ka kryer asnjë veprim procedurial ndaj të vëllait, Agron Xhafaj, i dënuar në Itali për trafik narkotikësh. Vetëm me këto dy raste specifike, deklaratat e kryeministrit se ka luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, rrëzohen plotësisht.
Nga ana tjetër, kryeministri mburret se ka krijuar një sistem të ri drejtësie, e cila tashmë do të gjykojë njerëzit me probleme, të cilët nuk dënoheshin deri më tani. Por në fakt, sistemi i drejtësisë, i cili po ndryshohet sipas “Reformës në Drejtësi” është në kolaps. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë jashtë funksionimit. Prokuroria e Përgjithshme drejtohet nga një “kamikaze e kryeministrit”, sipas cilësimit të opozitës. Gjyqtarët dhe prokurorët janë nën presionin e Vetingut, një proces që po realizohet nga njerëz të zgjedhur nga qeveria e Edi Ramës.
Pra, këto janë të vërtetat, të cilat Edi Rama mundohet t’i fshehë, nëpërmjet gjuhës së tij stilistike, por pa bazament të fortë logjik dhe politik. Këtë e kuptojnë edhe skeptikët europianë, të cilëve nuk u bëjnë përshtypje sjelljet herë turko-fage e herë artisti kontemporan të kryeministrit shqiptar.