Tërheqja e Shteteve të bashkuara të Amerikës nga marrëveshja bërthamore me Iranin, shkaktoi reagime të shumta si edhe përpjekje nga vendet e BE-së për ta bindur të ndryshonte mendim.
Por, përpjekjet e vendeve me në krye Francën e Gjermaninë nuk ndryshuan dot mendimin e Donald Trump për të mos u tërhequr nga marrëveshja.
Në kushte të tilla, Komisioni Europian ka propozuar aktivizimin e një statuti të fjetur për të mbrojtur kompanitë europiane që bëjnë biznes me Iranin, nga kërcënimi i sanksioneve amerikane.
Statuti është miratuar në vitin 1996 si përgjigje ndaj embargos së vendosur nga Shtetet e Bashkuara ndaj Kubës, por nuk ka hyrë kurrë në fuqi.
Gjithashtu Komisioni propozoi heqjen e barrierave që pengojnë Bankën Europiane të Investimeve të financojë aktivitete të llojeve të ndryshme në Iran.
Në këtë aspekt, Banka do të mbështesë investimet europiane në Republikën Islamike, përfshirë ato në sektorin e energjisë që janë boshti i ekonomisë iraniane.
Teksa sanksionet e Washingtonit ndaj Iranit hyjnë në fuqi më 6 Gusht, deri atëherë Parlamenti Europian do të ketë më tepër se dy muaj kohë për të shqyrtuar dhe miratuar këto propozime.