Pronarja e televizionit Top Channel zonja Vjollca Hoxha dhe drejtori i aprovuarprej saj Ben Blushi, kanë vënë në shënjestër të goditjeve intimiduese mediatike një gjyqtar të Gjykatës së Lartë, Artan Zenelin.
‘Loja’ është hapur dy ditë më parë, kur Top-Channel publikoi një kronikë në frymën e ‘vettingut popullor’ duke aluduar (bazuar në burime anonime) mbi disa të dhëna të dyshimta në deklarimin e pasurisë së gjyqtarit Artan Zeneli. (Kliko për kronikën e TCH)
Ky shënjestrim ndaj zotit Zeneli ishte krejt i papritur, sepse zoti Zeneli prej disa vitesh ka qenë avokat i themeluesëve të televizionit Top Channel dhe Top Albania Radio (Biznesmenëve të ndjerë Artan Hoxha dhe Vajdin Lame).
Madje ka dhe një episod para 4 vitesh, kur në një kronikë të Top Channel gabimisht u ngatërrua fotoja e zotit Zeneli me atë të një tjetër gjyqtari, asokohe ish-Drejtori i Informacionit Sokol Balla bëri mbledhje ‘për gabimin e rëndë’ dhe vendosi në murin e NewsRoom-it foton e Artan Zenelit, që askush të mos guxonte ta ngatërronte imazhin e tij herë tjetër.
Por nga një avokat/gjyqtar me imunitet të veçantë në Top Channel, Artan Zeneli është shndërruar në një shënjestër të këtij televizioni. Çfarë ka ndodhur?
Hashtag.al ka konsultuar burime të dorës së parë, për t’u informuar mbi shtysat që kanë nxitur këtë sulm ndaj Zenelit.
Gjyqi dhe paratë
Zonja Vjollca Hoxha është në gjyq me ish-ortakët e bashkëshortit të saj në lidhje me kuotat e pjesëmarrjes në Top Channel.
Në gjykatën e shkallës së parë, zonja Hoxha e humbi gjyqin, por arriti ta fitonte në Gjykatën e Apelit.
Gjyqi në Apel është shoqëruar me tension dhe prapaskena ku shumë grupe interesi u vunë në lëvizje.
Pala kundërshtare me zonjën Hoxha, arriti të mblidhte fakte që sugjeronin se shorti i gjyqtarëve të Apelit ishte manipuluar, provat i dorëzoi në prokurori. Por hetimi i kësaj çështje u mbajt pezull.
Gjërat avancuan dhe zonja Hoxha fitoi në Apel, tashmë palët po përballen në Gjykatë të Lartë. Deri në Apel zonja Hoxha ndihej e sigurt me garancitë që kishte marrë, ndërsa Top Channel nuk u angazhua në ndonjë sulm të nxitur nga mosmarrëveshja gjyqësore.
Por ndryshe ka ndodhur me gjyqin në Gjykatën e Lartë.
Top Channel krejt papritur ka goditur gjyqtarin Artan Zeneli, ndonëse ky gjyqtar nuk është pjesë e trupës së gjykatësve që do shqyrtojnë çështjen.
Sulmi është intimidues, i llogaritur, sepse zonja Hoxha nuk ka më asnjë garanci se zoti Zeneli do ta ndihmojë duke lobuar për të, ndërsa kronika në Top Channel ishte një sinjal i qartë për Zenelin, një shantazh i tipit:
“Bëj si të themi ne, se do kesh pasoja”.
Kjo është hera e parë që Top Channel implikohet me edicionin informativ në shantazhe të drejtëpërdrejta me një ish-avokat të vetin, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Po pse e ka humbur qetësinë zonja Hoxha?
Mendohet se dy janë faktorët kyç.
Faktori i parë, zonja Hoxha nuk ndjen garancitë që dikur mund t’i kishte në Gjykatën e Apelit, madje nuk ka më si përkrahje as disa grupe interesi të cilat e ndihmuan në gjyqin e Apelit.
Faktori i dytë, lidhet me ngërçin që shkakton procesi gjyqësor në negociatat që zonja Hoxha mund të ketë me palë të treta për shitjen e aksioneve të Top Channel apo dhe të DigitAlb.
Dhe te faktori i dytë, pra te plani për të realizuar shitjen e Top Channel, mund të gjenden dhe arsyet e emërimit të Ben Blushit si drejtor i televizionit, një emërim që dyshohet si i propozuar nga palë të treta ofertuese dhe i aprovuar më pas nga zonja Hoxha.
Zoti Blushi ushtron një komandim tërësor të televizionit në çdo aspekt të tij, ndërsa zonja Hoxha shihet gjithnjë e më rrallë në mjediset e televizionit.
Nuk ekziston ende asnjë shpjegim i verifikuar se nga buron ky pushtet i zotit Blushi në Top Channel, por në mjediset mediatike aktualisht ekzistojnë dy shpjegime të paverifikuara, që lidhen me dy emra biznesmenësh:
Shpjegimi i Parë është Francescco Bechetti. Ish-pronari i AgonChannel, është ai që dyshohet se po bën tratativa me zonjën Hoxha për blerjen e këtij televizioni dhe se Blushi është emër i sugjeruar prej Bechettit, ndërsa zonja Hoxha thjesht sa e ka aprovuar atë.
Versioni i dytë është se zonja Hoxha u miqësua me zotin Blushi gjatë udhëtimit të datëlindjes së biznesmenit Samir Mane në Turqi dhe se emri i Blushit u sugjerua nga zoti Samir Mane.
Por ky version është më pak i favorizuar deri më tani pasi nuk ka pasur ndonjë gjurmë të interesimit të zotit Mane për pjesëmarrje në Top Channel, ndërsa zoti Bechetti prej tre vitesh po kërkonte shtigjet për influencë mediatike në Shqipëri, pas mbylljes së AgonChannel.
Është fakt se të dy biznesmenët dhe Bechetti por dhe Mane kanë një miqësi të ngushtë me zotin Blushi, e kanë si biçim të preferuari.
Zoti Blushi vjen nga një shkollë e vjetër intimidimi, ai ka qenë kryeredaktor i gazetës KohaJonë, një gazetë që në vitet ’90, kur drejtohej nga Blushi, dallohej për sulmin e ashpër ndaj qeverisë por dhe për lojën e pistë me biznesin.
Kur zoti Blushi drejtonte këtë gazetë, titujt e gazetës shpesh denonconin implikimin e qeverisë me firmat piramidale, por çuditërisht, disa prej firmave piramidale të kohës mbushnin dhjetëra faqe me reklamë në këtë gazetë.
Ky dyzim ka qenë ndoshta një prej akteve më të paskrupullta të konfliktit të interesit dhe shantazhit mediatik, por me kohën detajet u harruan dhe dominoi këndvështrimi ‘politik’ dhe ajo epokë e gazetës KohaJonë tashmë mbahet mend për opozitarizmin dhe jo për implikimet me firmat piramidale.
Hakëmarrja ndaj gazetarit
Sulmet shantazhuese duket se tashmë janë rikthyer në Top Channel, tashmë jo si një rast i shkëputur ndaj gjyqtarit Zeneli por dhe ndaj kolegëve gazetarë.
Përshembull, sot Top Channel ka publikuar një kronikë (shikoje këtu)ku zbulon emrin e gazetarit Jetmir Olldashi si personi që ka intervistuar dëshmitarit Albert Veliu në selinë e Partisë Demokratike.
Top Channel thekson faktin se gazetari Olldashi drejton portalin BoldNews dhe e paraqet si gazetar të lidhur me partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën.
Por duhet thënë se BoldNews është dhe i vetmi portal që ka raportuar në mënyrë të pandërprerë mbi gjyqin që zonja Hoxha ka zhvilluar në të treja shkallët e gjykimit.
Zonja Hoxha është kujdesur që asnjë media të mos raportonte për këtë gjyq dhe vetëm pak portale kanë raportuar herë pas here informacione (Lapsi, CityNews dhe Hashtag), ndërsa portali BoldNews ka raportuar pa ndërprerje dhe intensivisht zhvillimet e këtij procesi gjyqësor duke sfiduar ‘komandën’ e zonjës Hoxha. / Hashtag.al