Kreu i PD-së Lulzim Basha ka ftuar shqiptarët të ngrihen në protestë për të rrëzuar qeverinë, sipas tij pengesën e vetme për integrimin e Shqipërisë. Basha ftoi qytetarët të protestojnë për largimin nga policia të atyre që ndihmojnë kriminelët si Agron Xhafaj, Habilajt, Balilajt.
“Opozita e bashkuar i fton gjithë qytetarët shqiptarë nga lindja në perëndim demokratë e socialistë të bashkohemi në protestën e vetme për të larguar qeverinë e lidhur me krimin. Ju ftojmë të protestojmë për largimin nga pushteti dhe çdo hallkë e shtetit ata që ndihmojnë kriminelët. Në protestë për largimin e Fatmir Xhafajt. I ftojmë të protestojmë për largimin nga policia të atyre që ndihmojnë kriminelët si Agron Xhafaj, Habilajt, Balilajt. Ne do t’i themi ndal procesit të zëvendësimit të kriminelëve që i shërbenin Tahirit me ata që i shërbejnë Xhafajt.
Sot duhet të kemi një ministri të brendshme dhe një polici që i shërben njerëzve jo një polici që rrëmben në mes të natës Dritan Zaganin dhe kuksianët e pafajshëm, ndërkohë që i nënshtrohet Artan e Moisi Habilajt dhe Agron Xhafajt. Ne duam një polici ku vetingu të fillojë nga Ministri i Brendshëm tek polici më i thjeshtë. Ne i ftojmë qytetarët për të protestuar për një drejtësi të vërtetë. Të gjithë ne pavarësisht se cilës parti i përkasim jemi në radhë të parë shqiptarë. Mbi të gjitha ne duam vendin tonë Shqipërinë”.