Banka e Shqipërisë: Masat për de-euroizimin hyjnë në fuqi nga muaji korrik

Shkalla e lartë e euroizimit ekspozon ekonominë ndaj rreziqeve të kursit të këmbimit dhe përdoruesit nga luhatjet. Ne tashmë kemi nënshkruar një memorandum, ku Banka e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë janë angazhuar në uljen e përdorimit të euros. Banka ndërmori një sërë planesh që hyjnë në fuqi në gjysmën e dytë të 2018. Ky plan masash synon nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare.

Ka deklaruar kështu dje guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, duke prezantuar dje në Kuvend Raportin e Politikës Monetare. Në prezantimin e analizës, Guvernatori raportoi se ekonomia shqiptare vijon të ruajë një trend pozitiv zhvillimi. “Viti që lamë pas ka qenë vit progresi. Vëllimi ekonomik u rrit me 3.8%. Nga këndvështrimi i kërkesës agregate, rritja ekonomike u mbështet nga rritja e konsumit, investimeve dhe eksportit. Zgjerimi ndihmoi rritjen në sektorin e shërbimeve dhe në degë të caktuara të sektorit të industrisë. U krijuan 79 mijë vende të reja pune dhe punësimi u nxit kryesisht nga sektori i shërbimeve”, – tha Sejko gjatë fjalës së tij.

Banka e Shqipërisë ka vijuar me planin kombëtar për uljen e kredive me probleme, shtoi guvernatori.

Ai ka sugjeruar se reformat strukturore duhet të adresojnë në përmirësimin e klimës së biznesit, uljen e informalitetit, përmirësimi e kuadrit ligjor, funksionimin e administratës publike, zgjerimi i tregjeve për produkte shqiptare, rritje e eficenës së ekonomisë shqiptare, përmirësimin e standardeve të administrimit të biznesit. Një ekonomi më rezistente përballon më lehtë goditjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *