Në ‘arrest shtëpie’ për incidentin ku u përplas makina e policisë në Elbasan, por lëvizte i armatosur, arrestohet. FOTO

Arrestohet nga policia për armëmbajtje pa leje Kelmend Xhaferri 36-vjeç. Ai u prangos gjatë një kontrolli mbrëmjen e djeshme në lagjen ‘5 Maji’ në qytetin e Elbasanit në kuadër të operacionit për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri.  Personi i arrestuar është edhe me arrest shtëpie nga Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, ndërsa në makinë iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë me 15 fishekë. Ai hodhi armën dhe tentoi që të largohet, por u prangos.

“Në lagjen “5 Maji” në rrugën “Lef Nosi”, Elbasan, shtetasi Kelmend Xhaferri, 36 vjeç, banues në lagjen “5 Maji” Elbasan, i cili drejtonte një automjet tip “Porsh” me targa AA 040 UD, në momentin që është ndaluar nga shërbimet e policisë ka hedhur armën e zjarrit në tokë dhe ka tentuar të largohet por s’ka mundur dot pasi është arrestuar në flagrancë nga Policia. Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë tip Bereta, me një krehër të vendosur në trup me 15 copë fishekë, si dhe automjetin tip ‘Porsh'”, njoftoi Policia.

Xhaferri është një person me precedent penal, pasi u ndalua edhe në shtator të 2017 pas incidentit ku u përplas makina e zv/ drejtorit të policisë  te Tregu Agro Ushqimor në lagjen “Dyli Haxhire”.  Ndaj tij Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë me vendim Nr. 393 datë 22.09.2017, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për veprën penale “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve sportive”.

Gjatë operacionit në shtator të 2017, Kelmend Xhaferrit gjatë kontrollit të banesës, të ushtruar nga efektivat e policisë grupi hetimor iu gjet dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: Një pushkë sportive pa leje. Gjykata vendosi masën arrest shtëpie, por ai lëvizte sërish i lirë, madje i armatosur duke u arrestuar.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *