Faktet/ Radarët dhe policët, si u vunë në shërbim të Moisi Habilajt

Nga Boldnews.al

Peshkarexha “Fatima”, e cila po transportonte 800 kg kanabis për llogari të Moisi Habilajt, u kap në maj 2015 në Itali, pasi ishte nisur e pashqetësuar nga Shqipëria. Kreu i organizatës kriminale, Moisiu, kishte arritur të siguronte mbështetjen për trafikim nga disa zyrtarë policorë në Tiranë dhe Vlorë.

Në dosjen e Prokurorisë për Krime të Rënda, siguruar nga “Boldnews.al” dallohet qartësisht se kushëriri trafikant i Saimir Tahirit kishte ngritur një rrjet të mirëorganizuar me punonjës policie dhe të tjerë, për të siguruar kalimin pa problem të drogës në Itali. Për prokurorët, dyshohet se rrjeti i zyrtarëve bashkëpunonte me Habilajt, për shkak të raporteve që ata kishin krijuar në aktivitetin e tyre me ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Tahiri.

Në episodin e trafikimit të drogës me peshkarexhën “Fatima”, Prokuroria ka identifikuar mënyrën se si Moisi Habilaj ka përdorur si “ushtarë” drejtues dhe punonjës policie. Peshkarexha “Fatima” ka ndaluar në Himarë për t’u furnizuar me karburant dhe për t’u ngarkuar me lëndën narkotike. Mjeti lundrues është kapur nga radarët e Qendrës Ndëroperacionale Operative Detare (QNOD) me bazë në Durrës. Operativët e kësaj qendre kanë komunikuar me drejtuesin e Postës Policore dhe I kanë kërkuar të verifikojnë këtë mjet, i cili sipas tyre ishte i dyshimtë.

Sokol Bode, aktualisht në kërkim për bashkëpunim me Habilajt, ka transmetuar të dhëna të rreme, duke thënë se në det ishte peshkarexha “Roxeta”, e njohur nga QNOD. Por, në fakt, ka rezultuar nga hetimet e Prokurorisë së Katanias se peshkarexha ishte “Fatima”, e cila po trafikonte kanabis për llogari të Habilajt.

Madje, ky i fundit ka qenë në bordin e saj, duke u dhënë instruksione detarëve se ku duhet të kalonin mjetin lundrues që të mos pikaseshin nga autoritet e huaja policore. Sa për policinë shqiptare, Moisi Habilaj flet me garanci se ata (policët) janë në anën e tij.

Në bisedat e Moisi Habilajt me detarët italianë në bordin e “Fatimas”, del qartë se ai, përveç Sokol Bodes, kishte edhe të tjerë zyrtarë policorë në shërbimin e tij.

Bisedat e përgjuara vënë në dukje sesi Habilaj kishte mbështetjen e pjesëtarëve të forcave lokale të policisë, si edhe të një punonjësi të kontrollit detar pranë centralit operativ në Tiranë i cili kishte njoftuar një bashkëpunëtor të Moisiut për një futje pa e vënë të peshkarexhës FATIMA në ujërat territoriale greke gjatë operacioneve të afrimit në brigjet shqiptare (a e pe furgonin e policisë që kaloi? … pak më parë?… janë të gjithë tanët këtu!…po mund të na dalë ndonjë qelbanik nuk i dihet!… … ai mori në telefon se është salla … si thuhet?… salla është në portin tjetër në kryeqytet … ku janë … (e pakuptueshme) … dhe shikon çdo gjë … edhe peshqit shikon nga atje … sepse është shok i një shokut tonë “po si ka mundësi” … përse e pyete “kush është kjo anija?” … dhe ai tha “çfarë anijeje” …. (e pakuptueshme)… “po si ka mundësi që hyri një milje në ujërat territoriale greke?”…).

Në lidhje me këtë gabim “domethënës”, Moisiu i dha disa direktiva Giulianos dhe Grecos në lidhje me rrugën që duhet të bënin kur të linin molin (…tani që do ikësh… duhet të largohesh dy milje nga këtu … nga toka… dhe pastaj duhet të ikësh dy milje nga toka … vazhdo vetëm drejt … sapo të mbarojnë dritat tona … se tani më mori në telefon polici që më sqaroi … që mos t’u afrohesh ujërave greke … duhet të ecësh vetëm drejt … kur mbarojnë dritat sepse kur arrin në një pikë pas 6-7 miljesh nuk shihen më dritat – duhet të ecësh edhe 2-3 milje të tjera … dhe pastaj hyn …)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *