Çitaku: Kosova e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Ambasadorja e Kosovës në Kombet e Bashkuara, Vlora Çitaku tha se Kosova është e përkushtuar për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.

Këto komente ajo i bëri në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Kosova është e përkushtuar për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë. Ne jemi të përkushtuar për dialog dhe për promovimin e marrëdhënieve të mira, forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Çitaku, duke shtuar se pajtimi mes dy shteteve, nuk mund të ndërtohet, siç u shpreh ajo, mbi “narrativa të rrejshme”.

Në anën tjetër, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç kritikoi Prishtinën se nuk po zbaton marrëveshjet e Brukselit.

Ai tha se deklaratat e fundit në Prishtinë, për mundësinë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në këmbim të ulëses në OKB, tregojnë se Kosova nuk ka qëllime të vërteta që të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Deklaratat që i dëgjojmë nga përfaqësuesit në Prishtinë, siç ishte e fundit për formimin e Asociacionit, që do të ketë kusht për të marrë ulësen në OKB, vetëm konfirmon se Prishtina nuk ka qëllime të verteta për të përmbushur obligimet e saj që dalin nga marrëveshja e Brukselit, për ta shkelur në çdo mënyrë të mundshme”, tha ai.

Ambasadorja Çitaku foli edhe për arrestimin e disa serbëve lokalë të Kosovës që ishin arrestuar në Serbi sepse i ishin bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Më lejoni të jem e qartë për këtë çështje. Serbia nuk e ka të drejtën e vetos për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ky vendim do të merret nga institucionet e Kosovës”, tha Çitaku.

Ajo shtoi se Beogradi po pengon qytetarët serbë që të integrohen në Kosovë. Çitaku rikujtoi ndalimin që iu bë ekipit të karatesë së Kosovës për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian që këtë vit mbahet në Novi Sad, por edhe ndalimit të disa deputetëve të Kosovës, që të marrin pjesë në një konferencë në Beograd, duke thënë se Serbia po vazhdon të vendosë barriera arbitrare ndaj Kosovës.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, Zahir Tanin, ndërkaq tha se Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një angazhim të ri të Bashkimit Evropian për të tejkaluar bllokadën në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Fokusi i ri i Brukselit në të gjitha nivelet ofron mundësi dobiprurëse të ndërsjellë si për Prishtinën, ashtu edhe për Beogradin për ta lënë prapa momentin e tanishëm të vështirë dhe për ta çuar dialogun në fazë të re të përparimit të mirëfilltë”, tha Tanin.

Ai po ashtu përmendi Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor në Sofje ku sipas tij mund të jetë ndihmesë për të përmirësuar bashkëpunimin pas “disa ngjarjeve të vështira në mes Prishtinës dhe Beogradit në muajin mars”.

Ndërkaq, përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në këtë mbledhje tha se SHBA vazhdon të mbështesë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe u bëri thirrje dy palëve që të vazhdojnë dialogun.

“U bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë drejt arritjes së paqes së qëndrueshme dhe pajtimit. SHBA mbështet dialogun e Brukselit dhe përgëzon BE-në për lidershipin e treguar në këtë përpjekje”.

“Normalizimi i marrëdhënieve nënkupton që të dy palët të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e arritura. Mirëpresim vendimin e Kosovës për të nisur punën për themelimin e Asociacionit, por po ashtu presim nga Serbia që të zbatojë plotësisht Marrëveshjen për Energji”, tha ajo.

SHBA, tha ajo, do të ndihmojë Kosovën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *