“Prokuroria duhej të kishte vepruar, ja koha kur është realizuar”

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj tha se i takon Prokurorit të Përgjithshëm që të reagojë pa pritur depozitimin e dosjes lidhur me audio-përgjimin e publikuar sot nga PD, sipas të cilit Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, vijon trafikun e drogës.

Alibeaj pohoi në studion e Report TV, se nga momenti kur u publikua përgjimi, Prokuroria duhej të kishte vepruar.

“Përgjimi daton në një periudhë kur qeveris Fatmir Xhafaj, në një periudhë kur vendi është mbytur nga droga”, tha Alibeaj.

Deputeti i PD-së tha se ka një vendim të Gjykatës së Kasacionit të Italisë, që ka zgjatur në kohë, ka nisur në 2001 dhe ka përfunduar në 2012 dhe flet me një grup kriminal me një shtrirje shumë të madhe, por që duket se garancinë e kishin në Shqipëri.

Sipas tij, Gjykata e Lartë në Itali ka dënuar Agron Xhafajn me 7 vjet e 2 muaj dhe nga viti 2013 rezulton se ky shtetas nuk ka kryer asnjë ditë punë dhe nuk bëhet asnjë përpjekje për ta ndaluar nga autoritetet shqiptare.

“Ministri i Brendshëm të paktën duhej të zbatonte vendimin e Gjykatës së Kasacionit dhe në bazë të konventave të nënshkruara duhej që Fatmir Xhafaj, minimalisht kishte detyrimin që të zbatonte këtë vendim të formës së prerë, aq më tepër kur betohet se këmbë krimineli nuk do të shkelë në territorin shqiptar”, tha Alibeaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *