Qeveria me fokus të gabuar. Informaliteti në doganë, jo te biznesi i vogël

Nga Sorina Koti

Problematikat e sistemit doganor në Shqipëri transferohen në të gjitha hallkat e jetës së individit dhe të biznesit shqiptar. Perceptimet mbi funksionimin e doganës shqiptare janë negative, kur ato lidhen me nivelin e korrupsionit dhe mundësitë, që ato kanë për të kontribuar në buxhetin e shtetit.

Të ardhurat nga doganat janë elementi i dytë më i rëndësishëm, pas TVSH, që sjell të ardhura për shtetin. Reforma e nisur nga qeveria shqiptare për formalizimin e ekonomisë, dhe sidomos nisma për uljen e evazionit fiskal, me anë të kontrollit të kuponit tatimor, nuk ka dhënë efektet e kërkuara.

 

Ministria e Financave ka kërkuar prerjen e kuponit tatimor për çdo produkt të shitur nga biznesi i vogël dhe i madh. Në të kundërt, ligji parashikon gjoba për biznesin si dhe për konsumatorin, që nuk tërheq kuponin tatimor.

Kjo Reformë e filluar nga baza u përball me vështirësi, pasi biznesi i vogël në të shumtën e rasteve nuk i merrte mallrat me faturë nga grosisti.

Në kushtet kur grosisti vetë nuk është furnizuar me mallra të zhdoganuar, atëherë faturimi i mallit do të sillte kosto për biznesin. Një mall i futur kontrabandë, nuk ka mundësi që të shitet me fatura të rregullta.

Atëherë lind pyetja, që shumë biznese e kanë bërë: pse shteti e fillon Reformën nga më i vogli, dhe nuk kontrollon Doganat, të cilat janë më pak në numër e mbi të gjitha supozohet, që janë zyrat e shtetit ku gjithҫka është e monitoruar me teknologjinë më të fundit?

Pse nuk kontrollohet dhe të zhdoganohet ҫdo produkt që hyn në Shqipëri? E nëse kjo do të ndodhte, atëherë automatikisht të gjitha hallkat e ekonomisë do furnizoheshin me mall të rregullt, të zhdoganuar dhe më faturat përkatëse. Kjo do të ҫonte, që edhe biznesi i vogël të detyrohej të priste faturën për ҫdo produkt.

Perceptimi mbi korrupsionin e Doganave është matur nga Balkan Opinion Barometër në nivel Rajoni. Tabela më poshtë na jep të dhënat me përqindje.

 

Viti 2017   Aspak dakord   Pjesërisht jo   dakord Pjesërisht dakord Plotësisht dakord   Nuk e di / refuzoj
Shqipëria 3 7 32 56 3
Bosnjë –Hercegovina 2 9 38 45 6
Kroaci 3 15 44 34 4
Kosova 10 22 33 31 3
Maqedonia 4 16 43 30 8
Mali i Zi 3 14 39 27 17
Serbia 2 7 37 43 11

Burimi: Balkan Opinion barometer, 2017

Në  lidhje me faktin, se sa preken doganat nga korrupsioni, renditja në  nivel Rajoni për vitin 2017 tregon se 56% e shqiptarëve mendojnë se Dogana ka nivel të lartë korrupsioni. Nga të dhënat e mësipërme, rezulton se Shqipëria zë vendin e pare në Rajon për korrupsionin në Doganat, e pasuar nga Bosnjë-Hercegovina dhe Sërbia.

Doganat konsiderohen si “porta” e një vendi. Fakti, që shqiptarët e konsiderojnë si Institucion të korruptuar, kjo do të kërkonte ndërhyrjen urgjente të shtetit. Njësitë e kontrollit, anti-kontrabandës dhe lufta kundër korrupsionit, duhet të jetë kryefjala e veprimeve të shtetit, për të siguruar mirë-funksionimin e ekonomisë.

Gjithashtu, kjo do të sillte edhe një përmirësim të cilësisë së produkteve, që importohen dhe do të ulte ndjeshëm rastet e abuzimeve me dhënie rryshfetesh apo njohjeve personale.

Reforma e formalizimit të ekonomisë duhet t’a kthejë vëmendjen drejt Doganave, me anë të kontrolleve më të rrepta , transparencë të proҫedurave doganore dhe funksionim të plotë të sistemit të monitorimit.

Lufta kundër korrupsionit dhe zbatimi i penaliteteve sipas Ligjit, do të rritë efiҫencën e mbledhjes së të ardhurave nga Doganat, si dhe do i hapte rrugën formalizimt të plotë të ekonomisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *