Baroni shqiptar i drogës në Turqi, Met Kanani rezulton të jetë dënuar disa vite më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tvklan.al ka mësuar se Met Kanani ishte dënuar me 5.3 vite burg në SHBA në vitin 2001. Ai u shpall fajtor nga Gjykata amerikane për futjen në territorin e SHBA-së së një sasie metamfetamine (MDMA) apo ekstazie.
Vitet e fundit, Met Kanani kishte ngritur një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike në Turqi-Greqi-vendet e BE dhe Maqedoni-Shqipëri- vendet e BE. Organizata e Met Kananit trafikonte gjithashtu kokainë nga Amerika Latine përmes vendeve të Ballkanit në Shqipëri dhe vendeve të BE-së.
Një ditë më parë, Policia dhe Prokuroria shqiptare njoftuan për goditjen ndaj grupit të Met Kananit në Shqipëri. 18 persona u arrestua, pjesa më e madhe e të cilëve në vendin tonë. Ky operacion është zhvilluar në bashkëpunim edhe me agjenci ligjzbatuese të vendeve të tjera partnere. Kreu i kësaj organizate të fuqishme kriminale, Met Kanani është arrestuar në Turqi disa javë më parë dhe ndodhet në burg, së bashku me disa shqiptarë të tjerë bashkëpunëtorë të tij./tvklan/