Prokurorët e Vettingut pa Çertifikatë Sigurie, Arta Marku sërish shkel ligjin

Nga Boldnews.al

Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku ka në plan të deklasifikojë dokumentat sekretë, në tentativë për të justifikuar faktin që ka angazhuar prokurorë për çertifikatë sigurie për të realizuar vetingun e kolegëve të tyre.

Emërimi i Arta Markut në krye të organit të Akuzës përkoi me nisjen e procesit të Vetingut. Prokuroria e Përgjithshme, në bazë të ligjit, ka rol ndihmues për Komisionin e Vetingut në verifikimin e integritetit dhe profesionalizimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Për të realizuar këtë proces, Arta Marku afroi në Prokurorinë e Përgjithshme shumë prokurorë të rinj, në një skemë që ngjason më shumë me “qoka” në favor të miqve të saj të shpërndarë nëpër rrethe.

Por, si shumë veprime të tjera të nxituara dhe në kundërshtim me ligjin, edhe në këtë rast, Arta Marku ka afruar prokurorë, të cilët nuk përmbushin kriterin e pajisjes me çertifikatë sigurie nga ana e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK). Prokurorët e përfshirë në procesin e Vetingut përballem me informacione dhe materiale të ndryshme, një pjesë e të cilëve konsiderohen “sekret”. Për këtë arsye, është detyrim ligjor që ata të jenë të pajisur me Çertifikatën përkatëse nga DSIK.

Një pjesë e prokurorë të rinj, të cilët po merren me Vetingun, kanë aplikuar së fundmi për çertifikatë sigurie, por DSIK kërkon kohën e saj për të arritur në rezultate. Ndërkohë, Arta Marku dhe prokurorët e saj nuk kanë kohë të presin, pasi Vetingu është në zhvillim.

Për të shmangur këtë paligjshmëri, Kryeprokurorja Arta Marku po synon të gjejë një zgjidhje, gjithashtu e paligjshme. Ajo ka vendosur që, me vullnetin e saj, të deklasifikojë një pjesë të materialit të konsideruar “sekret”. Në këtë mënyrë, ajo synon të krijojë lehtësirat ligjore për prokurorët e rinj, të cilët nuk janë çertifikuar nga DSIK.

Prokurori i Përgjithshëm, i përhershëm apo i përkohshëm, nuk ka asnjë tagër ligjor për të klasifikuar apo deklasifikuar materialet sekret. Prokuroria është një institucion që nuk përfshihet në listën e agjencive që merr këtë iniciativë. Ligji ka parashikuar të tjerë institucione, të cilët vendosin nëse një informacion është i klasifikuar apo jo.

Por, për Kryeprokuroren e Përkohshme, Arta Marku, duket se kjo pengesë ligjore nuk përbën asnjë problem. Ajo ka përgatitur një draft për mënyrën se si do të vendoset për deklasifikuar informacionet, në mënyrë që veprimet e prokurorëve të saj të rinj, të mos konsiderohen shkelje ligjore.

Pra, Arta Marku po synon që, nëpërmjet një shkeljeje ligjore, të sistemojë një tjetër shkelje ligjore, e cila po konsumohet prej 5 muajsh.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *